Milani po vazhdon ta monitorojë me kujdes atë që po ndodh në Belgjikë, ku sot Club Brugge do t’i vazhdojë përgatitjet për sezonin e ardhshëm.
Emri në qendër të vëmendjes së “Rossoneri” është gjithmonë ai i Ardon Jasharit, protagonist i bisedimeve që po duken gjithnjë e më shumë si një roman me shumë vëllime.
Duket se ylli shqiptar do t’i bashkohet ekipit në kampin përgatitor, ndërsa mungesa e tij eventuale do të sinjalizonte një prishje definitive me klubin belg, shkruajnë mediat italiane, përcjell “Gazeta Express”.
Jashari nuk mori pjesë së fundmi në festën e tifozëve Zikaltër, një gjest që shumëkush e interpreton si një sinjal të qartë të dëshirës për ta veshur fanellën e Milanit.
Dhe, nëse futbollisti vazhdon ta bojkotojë ekipin aktual, kjo do të nënkuptonte se Brugge do të duhej t’i rihapte negociatat dhe që ta rishqyrtojë ofertën e “Rossoneri”, aktualisht e pamjaftueshme për belgët.
Në Milani ndërkohë po shpresojnë që të jetë vendimtare dëshira e lojtarit pasi vendimi definitiv i përket vetëm atij.
Club Brugge i kërkon 40 milionë euro për kartonin e Jasharit, kurse Milani i ofron 32,5 milionë plus 5 milionë nga bonuset, varësisht nga arritja e objektivave.
Mbetet të shihet nëse palët do të arrijnë marrëveshje në këtë javë, e cila pritet të jetë vendimtare. /Gazeta Express