Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka sjellë detaje të reja për marrëveshjen e shpallur nga Donald Trump, duke theksuar se ajo do t’i sigurojë Ukrainës sasi të mëdha pajisjesh ushtarake, përfshirë mbrojtje ajrore, raketa dhe municione.
“Kjo është diçka vërtet e madhe,” ka deklaruar Rutte gjatë takimit me presidentin amerikan në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se Trump e kishte telefonuar të enjten dhe i kishte thënë se donte që Ukraina të merrte gjithçka që i nevojitet – me kusht që shtetet evropiane të mbulonin koston.
Rutte ka theksuar gjithashtu se shumë shtete janë të gatshme të marrin pjesë në këtë iniciativë, duke përmendur Finlandën, Danimarkën, Suedinë, Norvegjinë, Britaninë e Madhe, Holandën dhe Kanadanë, ndërsa ka paralajmëruar se “kjo është vetëm vala e parë, do të ketë edhe të tjera.”
Ndërkohë, në një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj Moskës, Rutte është shprehur me fjalët:
“Nëse do isha Vladimir Putin sot, dhe dëgjoja këtë njoftim dhe paralajmërimin për 50 ditë, do ta rishikoja seriozisht nëse duhet të vazhdoj të injoroj negociatat për Ukrainën.”