Ylli i Barcelonës dhe kombëtares së Spanjës, Lamine Yamal, po përballet me probleme të mundshme ligjore dhe me një dëm të madh për imazhin e tij, pas ngjarjeve të ndodhura në festën e ditëlindjes së tij të 18-të.
Sulmuesi adoleshent festoi ditëlindjen gjatë fundjavës, me një ceremoni ku morën pjesë rreth 250 persona të shtunën mbrëma në një qytet bregdetar afër Barcelonës.
Festa u zhvillua të shtunën mbrëma, vetëm një ditë përpara se lojtarët e Barcelonës të ktheheshin në qendrën stërvitore për testet e para të fazës përgatitore.
Megjithëse një pjesë e skuadrës mendohet se është larguar herët nga eventi, festa — ku morën pjesë edhe figura të njohura publike — është vënë nën vëzhgim të rreptë.
Shoqata për Akondroplazinë dhe Displazitë Skeletore me Nanosomi (ADEE) ka njoftuar se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër Lamine Yamal, pasi në festë thuhet se janë punësuar persona me nanosomi (xhuxhëri) si formë argëtimi — diçka që është e ndaluar me ligj në Spanjë.
Lamine Yamal publikoi një video nga festa në rrjetet e tij sociale të hënën pasdite.
Pas këtij njoftimi nga ADEE, Qeveria Spanjolle i ka kërkuar Prokurorisë Publike që të nisë një hetim zyrtar për ngjarjen.
Sipas “Marca”, Ministria e të Drejtave Sociale ka dërguar kërkesën edhe te Zyra për Luftën kundër Krimeve të Urrejtjes, me qëllim të vlerësimit nëse Yamal ka shkelur ligjin për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, i cili ndalon përdorimin për qesharakëri apo denigrim të tyre për qëllime argëtimi.
Drejtori i Përgjithshëm për Aftësinë e Kufizuar, Jesús Martín, ka deklaruar se është kërkuar qartësim nëse personat me nanosomi janë denigruar.
Nëse vërtetohet shkelja, ligji parashikon gjoba të rënda që variojnë nga 600 mijë deri në 1 milion euro.
Detaj tjetër që ka tërhequr vëmendjen është fakti që gjatë së njëjtës mbrëmje, Lamine Yamal i ka komentuar aktorit Peter Dinklage në Instagram, duke i thënë: “Kontrollo mesazhet private”.
Dinklage, 56 vjeç, është një nga figurat më të njohura në botë me nanosomi dhe është i famshëm për rolin e tij në serialin “Game of Thrones”.
Barcelona ende nuk ka bërë asnjë koment zyrtar për incidentin, ndërkohë që Yamal është rikthyer në stërvitje të dielën.
Megjithatë, nëse akuzat e ngritura nga ADEE rezultojnë të vërteta, ai mund të përballet me pasoja serioze ligjore dhe financiare./GazetaExpress/