Ushtrimet që rrisin ritmin e zemrës dhe të frymëmarrjes në mënyrë të rregullt mund ta ulin rrezikun e vdekjes së parakohshme nga të gjitha shkaqet deri në 40%, sipas një meta-analize të re me 85 studime që përfshinë 7 milionë njerëz në mbarë botën, shkruan CNN.
“Aktiviteti fizik mund të jetë edhe më i rëndësishëm për shëndetin afatgjatë sesa kemi menduar më parë”, tha bashkautori i studimit Gregore Mielke, lektor i lartë në Fakultetin e Shëndetit Publik në Universitetin e Queensland në Brisbane, Australi, në një email.
Mosha nuk dukej se kishte rëndësi 0 njerëzit që filluan të ushtroheshin në moshë më të madhe gjithashtu mund ta rrisnin jetëgjatësinë e tyre, tha Ruyi Yu, një studente doktorature në shëndet publik në Universitetin e Brisbane. Në fakt, ndikimi pozitiv i rritjes së aktivitetit fizik ishte shpesh më i fortë te të rriturit e moshuar, duke ofruar deri në “10% deri në 15% ulje shtesë të rrezikut” për shkak se ata kanë më shumë gjasa të përballen me disa probleme shëndetësore njëkohësisht, tha ajo.
“Kjo nxjerr në pah se nuk është kurrë vonë për të filluar të jesh fizikisht aktiv, dhe fillimi në çdo moment të jetës së të rriturve mund të çojë ende në një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme”, tha Mielke.
Gjetjet nuk janë befasuese sepse aktiviteti fizik është “magjik”, tha Dr. Andrew Freeman, drejtor i parandalimit kardiovaskular dhe mirëqenies në National Jewish Health në Denver, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.
“Ushtrimi vërtet ul rrezikun në një mënyrë që nuk mund të arrihet me ilaçe. Është e mahnitshme”, tha Freeman. “Unë u them pacientëve të mi që aktiviteti fizik është vërtet eliksiri i rinisë”.