Oktavio Paz lindi më 1914 në Qytetin Meksiko, Meksikë. Duke iu falënderuar gjyshit dhe bibliotekës së tij të mahnitshme, ai hyni shumë herët në kontakt me letërsinë.
Edhe babain e kishte intelektual, gazetar politik tejet aktiv, i cili iu bashkëngjit me shumë intelektualë të tjerë përparimtarë, lëvizjes së udhëhequr nga Emiliano Zapata, si dhe u takua gjatë luftës së Spanjës me Pablo Nerudën dhe Louis Aragonin. Paz filloi të shkruajë që i ri dhe më 1937 udhëton për në Spanjë, në qytetin e Valencës ku morri pjesë në Kongresin e Dytë Ndërkombëtar të Shkrimtarëve Anti-Fashistë. Me t’u kthyer në Mexico (1938), bashkëthemeloi gazetën «Taller» ku zënë vend vala e re e shkrimtarëve me ndjenja dhe pikëpamje të reja letrare.
Gjatë vitit 1943 bëri një udhëtim në SHBA ku u pasurua me njohuri mbi poezinë bashkëkohëse angloamerikane. Dy vjet pas këtij udhëtimi Octavio Paz hyn në stafin diplomatik të vendit dhe kështu u gjind në Francë ku shkroi një studim themelor mbi identitetin meksikan të titulluar « Labirinti i vetmisë » që konsiderohet nga kritika letrare si kryevepra e tij. Përpos kësaj ai merr pjesë aktive bashkë me André Breton-in dhe Benjamin Peret-in kur edhe mori njohuri mbi poezinë surrealiste. Në vitin 1962 e hasim Ambasador të Meksikës në Indi ku edhe shkroi shumë libra e ndër ta, shumë të njohurin Ladera Esta (Ana lindore).
Më 1968, vit i Lojërave Olimpike në Mexico, vihet në protestë kundër pushtetit, i cili ushtronte represion të ashpër kundër studentëve të Tlatelolco-s. Pas kësaj kohe, i jepet punës së tij si botues, sepse në ndërkohë pat themeluar dy revista që merreshin me art dhe me politikë (Plural 1971-1976 dhe Vuelta 1976). Më 1980 iu nda titulli Doctor Honoris Causa i Universitetit të Harvard-it, kurse në vitin vijues ai morri Çmimin Cervantes që është dhurata më me nam në gjuhën spanjolle. Më 1982 i ndahet edhe Çmimi Neustadt, një njohje gjithashtu shumë prestigjioze në botën e kulturës dhe letërsisë. Më 1990, Octavio Paz, merr dhuratën dhe mirënjohjen më të lartë: Çmimi Nobel për Letërsi. Vdiq më 1998 duke lënë një zbrazëti në botën letrare të cilën e shënoi thellë me humanizmin, me veprën dhe me kulturën e tij të gjerë si një ndër njerëzit dhe autorët më të respektuar të kohës moderne. /Konica.al