Shërbimi sekret i Ukrainës thotë se vrau dy agjentë rusë, të dyshuar për vrasjen e kolonelit ukrainas - Gazeta Express
string(100) "sherbimi-sekret-i-ukraines-thote-se-vrau-dy-agjente-ruse-te-dyshuar-per-vrasjen-e-kolonelit-ukrainas"

Lajme

Gazeta Express

14/07/2025 13:44

Shërbimi sekret i Ukrainës thotë se vrau dy agjentë rusë, të dyshuar për vrasjen e kolonelit ukrainas

Lajme

Gazeta Express

14/07/2025 13:44

Agjentë të inteligjencës ukrainase kanë vrarë dy anëtarë të një celule të shërbimit sekret rus, të kërkuar si të dyshuar për vrasjen e një koloneli javën e kaluar.

Agjencia e inteligjencës SBU tha në një deklaratë se operacioni kishte si qëllim arrestimin e agjentëve të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), të cilët besohet se qëndrojnë pas vrasjes së kolonelit Ivan Voronych, gjithashtu anëtar i shërbimit ukrainas të sigurisë (SBU), ngjarje që ndodhi të enjten në Kiev.

“Këtë mëngjes u zhvillua një operacion special, gjatë të cilit anëtarët e celulës agjente të FSB-së ruse nisën të rezistonin, dhe për këtë arsye u eliminuan,” thuhet në një deklaratë të publikuar të dielën në aplikacionin Telegram, sipas The Guardian.

Autoritetet ruse nuk bënë asnjë koment publik menjëherë pas operacionit të së dielës, i cili ngjan me vrasje të mëparshme të zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë nga Ukraina gjatë këtij konflikti trevjeçar.

SBU tha se dy persona, një burrë dhe një grua dyshohen se e kanë vrarë kolonelin Voronych në një sulm të guximshëm në mes të ditës, i cili u kap nga kamerat e sigurisë. Nuk u bë e ditur sa agjentë të dyshuar të FSB-së u vranë të dielën, por SBU publikoi një video ku shihen dy trupa të pajetë.

Sipas raportimeve në mediat ukrainase, Voronych ishte i përfshirë në operacione të fshehta në territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë dhe thuhet se ndihmoi në organizimin e një inkursioni të befasishëm të Ukrainës në rajonin Kursk të Rusisë vitin e kaluar.

Sipas SBU-së, atentatorëve të dyshuar u ishte thënë nga eprori i tyre që të përgjonin objektivin dhe të ndiqnin lëvizjet e tij. Më pas, atyre iu dhanë koordinatat e një vendi të fshehur ku gjetën një pistoletë me silenciator. Thuhet se ata u përpoqën të “zhdukeshin” pas vrasjes së së enjtes, por u gjurmuan nga SBU-ja dhe policia.

Mandati i kësaj agjencie përfshin sigurinë dhe kundërzbulimin, por që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në operacionet speciale kundër Moskës, përfshirë atentate dhe sulme sabotazhi.

Pas një serie sulmesh masive në të gjithë Ukrainën me qindra dronë shpërthyes, Rusia lëshoi 60 dronë gjatë natës drejt së dielës, njoftoi forca ajrore ukrainase. U tha se 20 prej tyre u rrëzuan dhe 20 të tjerë u neutralizuan me bllokues elektronikë.

Të dielën, autoritetet ukrainase raportuan se katër civilë u vranë dhe 13 të tjerë u plagosën nga sulmet ruse në rajonet Donetsk dhe Kherson që nga e shtuna.