Një 24-vjeçar i cili kreu manovra të rrezikshme me Jet Ski, brenda perimetrit të sigurisë, në plazhin e Tales u gjobit me një milionë lek.
Pas gjobës së vendosur Policia kufitare i sekuestruan të riut edhe mjetin lundrues.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe shërbimet e Policisë Kufitare në Shëngjin, gjatë monitorimit të vijës bregdetare, kanë konstatuar në plazhin e Tales, një mjet lundrues tip Jet Ski, që po lëvizte në mënyrë të rrezikshme brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar pushuesit.
Shërbimet e Policisë ndaluan menjëherë mjetin lundrues dhe shoqëruan në Stacionin e Policisë Kufitare Shëngjin, drejtuesin i tij, shtetasin D. L., 24 vjeç.
Në përfundim të veprimeve, drejtuesi i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë, si dhe u sekuestrua mjeti lundrues.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, do të vijojnë kontrollet intensive përgjatë gjithë vijës bregdetare, ndërsa u bën apel të gjithë shtetasve që përdorin ose japin me qira mjete lundruese argëtuese, që të respektojnë me rigorozitet rregullat dhe detyrimet ligjore, me qëllim garantimin e sigurisë së jetës së pushuesve në plazhe.