Reagime të shumta pas deklaratës së Osmanit për ndërhyrjen e Trump në krizën Kosovë-Serbi, çfarë u tha dje - Gazeta Express
string(105) "reagime-te-shumta-pas-deklarates-se-osmanit-per-nderhyrjen-e-trump-ne-krizen-kosove-serbi-cfare-u-tha-dje"

Lajme

Gazeta Express

14/07/2025 8:23

Reagime të shumta pas deklaratës së Osmanit për ndërhyrjen e Trump në krizën Kosovë-Serbi, çfarë u tha dje

Lajme

Gazeta Express

14/07/2025 8:23

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ka informacione të besueshme se presidenti amerikan, Donald Trump, së fundmi ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të situatës në veri nga Serbia.

Këto komente Osmani i bëri gjatë një ligjërate në Uashington, ku përmendi edhe sulmin e shtatorit të vitit 2023 në Banjskë, duke e cilësuar si një “akt agresioni” nga Serbia, “të përgatitur tërësisht brenda Serbisë”.

Pas kësaj deklarate, gazetarët kanë pyetur ditën e djeshme, deputetët e Kuvendit të Kosovës për qëndrimin e tyre.

Ata kanë theksuar se kjo është një nga arsyet kryesore që Kuvendi duhet të konstituohet sa më shpejt dhe të fillojë procedimi për krijimin e institucioneve të reja, përfshirë edhe Qeverinë.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar mungesën e institucioneve në Kosovë dhe e ka quajtur situatën si pasojë të kryeneçësisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Vizita e zyrtarit të Departamentit amerikan të Shtetit e gjen Kosovën komplet të papërgaditur, pa institucione. Unë nuk mund të zbuloj detajet se asaj që do të thuhet, sigurisht që kryetari i partisë pas takimit do të ketë një komunikim. Mirëpo z. Kurtit nuk po i bëhet fare vonë. Bota po ndryshon shumë e ne mblidhemi sot këtu për të 46-tën herë për shkak të kryeneçësisë së z. Kurtit” – tha Çitaku.

Nga ana tjetër, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbëreshë Krasniqi, tha se siguria në vend është një ndër arsyet pse partia e saj ka kërkuar me ngulm konstituimin e Kuvendit.

“Çështjen e sigurisë në Kosovë, Kosova nuk ka një siguri dhe me këtë situatë nuk është që ndihemi mirë. Ne jemi munduar që të ngrisim vetëdijen politike te grupet parlamentare, që të jenë më vigjilente dhe kjo sigurisht ka pas të nënkuptojë edhe me çështjen e sigurisë” – tha ajo.

Në lidhje me deklaratën e Osmanit, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se nuk ka informata të tilla, por se veprimet e Serbisë janë të pritshme.

“Absolutisht nuk kam ndonjë informatë, por janë të pritshme të gjitha veprimet të cilat ne pareshtur i kemi pa nga shteti serb dhe kjo nuk është asgjë e re. Sepse në mënyrë konsistente ka pasur përpjekje të Serbisë që ta pengojë Kosovën në çdo formë të funksionimit të saj. Dhe në këtë fazë është shumë rëndësishme që Kosova t’i ketë institucionet e saj dhe që të kemi një reflektim” – tha Deliu.

Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, e vlerësoi mungesën e institucioneve si rrezik për vendin dhe theksoi se shqetësimi është i madh.

“Pa institucione ne duhet të shqetësohemi çdo ditë. Presidenca është një pjesë e institucioneve të vendit, por pjesa e Kuvendit është pjesa kryesore. Andaj shqetësimi duhet të ekzistojë dhe shqetësimi është i madh” – tha ai.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Nait Hasani, tha se deklarata e Osmanit i referohej rastit të Banjskës dhe jo ndonjë zhvillimi të ri.

“Mendoj që është për rastin e Banjskës, nuk mendoj që ka ndonjë rast tjetër. Kohëve të fundit nuk ka një gjë të tillë. Këto janë poteza të presidentes nëse ka mujt me ja huq në këtë drejtim, përndryshe vetëm rasti i Banjskës është rast i agresionit” – tha ai.

Nga Uashingtoni, presidentja Osmani e bëri të qartë se Trump ka ndërhyrë kohët e fundit për të ndalur një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia.

“Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit”, tha presidentja Osmani, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për zhvillime të vitit 2023 apo 2020, por “për zhvillime shumë, shumë të vona”.

“Ndaj, nuk duhet ta mohojmë mundësinë, sepse ka ndodhur më parë”, tha Osmani, duke iu referuar sulmit të armatosur të një grupi serbësh kundër Policisë së Kosovës, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Meqenëse ka ndodhur më parë, parandalimi dhe frenimi janë thelbësorë. Dhe, ndonjëherë, parandalimi dhe frenimi kërkojnë më shumë sesa vetëm praninë e ushtrisë. Kërkojnë edhe udhëheqje politike. Duhet një telefonatë, një paralajmërim, dhe kjo është pikërisht ajo që ndodh kur Amerika merr një rol udhëheqës”, u shpreh ajo.

Në fjalën e saj, presidentja Osmani paralajmëroi se rreziqet nga Serbia janë të vazhdueshme dhe tha se ato nuk duhen nënvlerësuar.

Sipas saj, presidenti Trump ka bërë gjithçka që është në fuqinë e tij deri tani, për të siguruar ruajtjen e paqes në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Dhe sigurisht, kjo fillon me frenimin e Serbisë”, tha ajo.

Teksa bënte thirrje për armëpushim në mes të Izraelit dhe Iranit, Donald Trump shkroi se “gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përballeshin ashpër, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në luftë. Unë e ndala atë”.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbajë një konferencë për media pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të adresuar deklaratat e fundit të emisarit amerikan Richard Grenell.

Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili konfirmoi se konferenca do të mbahet menjëherë pas rikthimit të Osmanit në Prishtinë.

Reagimi vjen pasi emisari amerikan, Richard Grenell, akuzoi Presidenten Osmani për “manipulim të fjalëve të Donald Trump”, duke iu referuar një deklarate të saj se presidenti amerikan ka parandaluar së fundmi një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë.

“Turp për Vjosa Osmanin që manipuloi fjalët e Presidentit Donald Trump”, shkroi Grenell në një reagim të tij publik.