Roma është në bisedime me klubin anglez Brighton për transferimet e Evan Ferguson dhe Matt O’Riley, sipas raportimeve nga Italia.
Sipas gazetarit të njohur Gianluca Di Marzio, Roma vazhdon të jetë e interesuar për mesfushorin danez O’Riley, ndërsa Corriere dello Sport raporton se klubi italian është afër një marrëveshjeje huazimi me opsion blerjeje për sulmuesin irlandez Ferguson.
Brighton e transferoi O’Riley nga Celtic verën e kaluar për 25 milionë paund, plus deri në 5 milionë bonuse, por sezoni i tij i parë në Angli ishte zhgënjyes dhe i ndikuar nga dëmtimet. Danezi u lëndua vetëm pas shtatë minutash në debutimin e tij në Premier League dhe përfundoi sezonin me vetëm 21 paraqitje për Seagulls në kampionat.
Raportet nga Italia sugjerojnë gjithashtu se Brighton mund të jetë i hapur për një marrëveshje huazimi me detyrim blerjeje, ndërsa trajneri i ri i Romës, Gian Piero Gasperini, thuhet se është admirues i madh i O’Riley.
Në anën tjetër, Ferguson e kaloi gjysmën e dytë të sezonit 2024/25 në huazim te West Ham United, por nuk arriti të lërë gjurmë. Ai luajti vetëm 8 ndeshje në të gjitha garat dhe nuk shënoi asnjë gol. Në fakt, që nga fillimi i sezonit të kaluar, Ferguson ka shënuar vetëm një gol në 21 paraqitjet e tij në Premier League.
Roma sheh të dy lojtarët si alternativa për të forcuar skuadrën në ndërtim nën drejtimin e Gasperinit.