Tre shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, janë ekstraduar këtë të shtunë, 12 korrik, nga Greqia, Belgjika dhe Serbia.
Përmes një komunikate për mediat, policia ka bërë me dije se ekstradimi i tre shqiptarëve të kërkuar është bërë në bashkëpunim me homologët e Interpol Tiranës, në 3 vendet: Athinë, Bruksel dhe Beograd.
Konkretisht, u ekstraduan në Shqipëri:
-M. H. alias M. P., i kapur në Greqi, pasi Gjykata e Beratit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ai ka investuar për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe ka transferuar shuma të mëdha parash te të afërmit e tij, të ardhura të cilat i ka përfituar nga veprimtaria kriminale e shfrytëzimit për prostitucion, për të cilën është dënuar në Itali. Nga dënimi, shtetasit M. H. alias M. P. i duhet të vuajë 3 vjet e 9 muaj burgim;
-A. G., 40 vjeç, i kapur në Belgjikë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vitin 2021, ai kultivoi 140 bimë narkotike Cannabis Sativa, në sipërfaqen e tokës që kishte në pronësi në fshatin Grizë;
-S. O., i kapur në Serbi, pasi Gjykata e Kukësit, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”. Ai akuzohet se ka trafikuar në Shqipëri, 1 automjet tip “Mercedez Benz”, të denoncuar të vjedhur në Francë.