Vdes në Shqipëri ish-ambasadori gjerman Werner Daum, u gjet pa shenja jete në dhomën e hotelit në Kavajë ku po qëndronte prej ditësh - Gazeta Express
string(131) "vdes-ne-shqiperi-ish-ambasadori-gjerman-werner-daum-u-gjet-pa-shenja-jete-ne-dhomen-e-hotelit-ne-kavaje-ku-po-qendronte-prej-ditesh"

Lajme

Gazeta Express

12/07/2025 14:58

Vdes në Shqipëri ish-ambasadori gjerman Werner Daum, u gjet pa shenja jete në dhomën e hotelit në Kavajë ku po qëndronte prej ditësh

Lajme

Gazeta Express

12/07/2025 14:58

Ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare. Ai është gjetur pa shenja jete në dhomën e hotelit në Kavajë ku po qëndronte prej disa ditësh në Shqipëri.

Sipas njoftimit të policisë, Daum është gjetur pa shenje jete rreth orës 12:30 të ditës së sotme në dhomën e hotelit dhe dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë natyral.

“Rreth orës 12:30, në Golem, në një dhomë hoteli, është gjetur pa shenja jete shtetasi Ë. D, 82 vjeç (ish-ambasadori gjerman).

Nga këqyrja paraprake, nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Para disa ditësh, Daum mori pjesë në inaugurimin e shtatores së dëshmorit të demokracisë, Josif Budo në Kavajë.

“Unë isha këtu për tre vjet, që nga viti 1987, kur hapa ambasadën, deri në korrik të vitit 1990, kur ambasada ime u shemb në kuptimin fizik. Por jo vetëm ndërtesa e ambasadës shkoi drejt rrënimit, por edhe marrëdhënia që unë përpiqesha të ndërtoja me popullin shqiptar, me shoqërinë, me intelektualët, gjithçka dukej sikur ishte humbur. Por, përkundrazi, ajo që ndodhi ishte lindja e diçkaje të re dhe të bukur. Ishte lindja e lirisë. Nuk do të thosha se ishte menjëherë demokracia në Shqipëri, por ishte padyshim lindja e lirisë. Unë pata një dorë të vogël në këtë, por nuk isha personi që solli ndryshimin. Ata që sollën ndryshimin ishin shqiptarët, populli shqiptar, dhe veçanërisht të rinjtë. Por unë mendoj se edhe një numër i madh intelektualësh ishin forca të rëndësishme që shtynë përpara ndryshimin, po aq sa edhe ata që morën pjesë drejtpërdrejt në revolucion. Dua të përmend në veçanti mikun tim të vjetër të mirë, Ismail Kadarenë. Kadare nuk është vetëm vëllai ynë shpirtëror dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX, por ai kishte edhe shpirtin e lirisë.

Dhe edhe një njeri si Ismail Kadare, i njohur në mbarë botën, siç më tregoi vetë më pas, pas revolucionit, edhe ai përballej me hetime nga regjimi sa herë që takohej me mua. Një regjim që dyshon edhe te intelektualët e vet më të mëdhenj është i destinuar të bjerë – dhe jam krenar që pata një dorë, sado të vogël, në këtë proces. E dua Shqipërinë, e dua këtë vend, natyrën e tij të mrekullueshme, malet, detin, veçanërisht vendet historike, kishat bizantine, qytete si Berati, Korça, Shkodra, Vlora, dhe më duhet të them se i doja shumë shqiptarët”, u shpreh Daum në ceremoninë e inaugurimit.

Gjatë viteve 1987-1990, Duam ka shërbyer si ambasador i Gjermanisë në Tiranë dhe njihet për rolin e tij të veçantë, duke hapur dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët kundër urdhrave të qeverisë së tij, me bindjen se kjo do të ndihmonte në rrëzimin e regjimit komunist.

/rtsh.al/