Ylli i Realit lidhet me një transferim historik, që e gjithë bota do të ‘çmendej’ - Gazeta Express
string(78) "ylli-i-realit-lidhet-me-nje-transferim-historik-qe-e-gjithe-bota-do-te-cmendej"

Sport

Gazeta Express

12/07/2025 14:33

Ylli i Realit lidhet me një transferim historik, që e gjithë bota do të ‘çmendej’

Sport

Gazeta Express

12/07/2025 14:33

Real Madrid mund të jetë pranë një lëvizjeje të bujshme në këtë merkato vere, pasi e ardhmja e Vinícius Jr ka hyrë në një fazë të paqartë pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube, ku “Los Blancos” u eliminuan në mënyrë turpëruese me rezultatin 4-0 nga Paris Saint-Germain në gjysmëfinale.

Megjithëse arritën deri në fazën gjysmëfinale, paraformancat e ekipit në SHBA kanë qenë zhgënjyese, ndërsa skuadra po mundohet të përshtatet me stilin dhe kërkesat e trajnerit të ri, Xabi Alonso.

Një nga lojtarët që ka rënë në sy për paraqitje të dobët ishte pikërisht Vinícius Jr, i cili startoi në të gjitha ndeshjet, por pa lënë gjurmë.

Pas përfundimit të aventurës në këtë turne, kanë nisur raportimet që vënë në dyshim të ardhmen e brazilianit, ndërkohë që sipas “El Chiringuito”, negociatat për rinovimin e kontratës së tij janë ndërprerë.

Real Madrid kishte përgatitur një kontratë të re për të muaj më parë, me kontratën aktuale që skadon në qershor 2027, por deri tani nuk ka pasur kontakt konkret me lojtarin.

Ndërkohë, Vinícius gjithashtu nuk ka treguar ndonjë urgjencë për të rinovuar, çka ka ngritur spekulime se të dyja palët po shqyrtojnë një largim të mundshëm këtë verë.

Sipas burimeve, liga saudite është destinacioni më i mundshëm, ku interesimi për sulmuesin ka qenë i vazhdueshëm.

Kujtojmë se në vitin 2023, ai kishte takuar zyrtarë të lartë të Pro League, përfshirë edhe nënkryetarin Saad Al Lazeez, në Pragë. Prej atëherë, bisedimet thuhet se kanë vazhduar.

Raportet sugjerojnë se Vinícius ka një ofertë marramendëse nga Arabia Saudite: një kontratë 5-vjeçare me vlerë £830 milionë, që do ta bënte një nga lojtarët më të paguar në histori – përkrah Cristiano Ronaldos dhe Karim Benzema.

Si pjesë e marrëveshjes, braziliani do të shërbente gjithashtu si ambasador i Kupës së Botës 2034, e cila pritet të zhvillohet në Arabinë Saudite.

Kjo situatë vjen pas një sezoni të çuditshëm për Vinícius: pas një viti të jashtëzakonshëm në 2023-24, ku përfundoi i dyti në Topin e Artë pas Rodrit të Manchester Cityt, ai ka pasur vështirësi të përshtatet në skuadër – fillimisht përkrah Kylian Mbappé, dhe më pas nën drejtimin e Xabi Alonsos, ku shënoi vetëm një gol në gjashtë ndeshje të Kupës së Botës për Klube.

Nëse kjo marrëveshje materializohet, ajo do të shënonte fundin e një epoke të rëndësishme për Real Madridin dhe një tjetër transferim rekord në botën e futbollit – si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë financiar./GazetaExpress/