Marc-André ter Stegen, një nga figurat më simbolike të Barcelonës në dekadën e fundit, është gjithnjë e më pranë largimit nga klubi.
Ardhja e Joan Garcías, portierit të ri spanjoll nga Espanyoli, së bashku me rinovimin e kontratës së Ëojciech Szczesny, e kanë lënë portierin gjerman jashtë projektit të ri sportiv që po ndërtohet nga drejtuesit e Barçës. Të gjitha shenjat tregojnë se largimi i tij do të ndodhë këtë verë.
Ter Stegen, i cili mbërriti në Camp Nou në vitin 2014, ka qenë për shumë vite një emër i padiskutueshëm mes shtyllave, por prioritetet e klubit kanë ndryshuar.
Edhe pse në shumë faza ka dhënë paraqitje të shkëlqyera, forma e tij ka qenë e luhatshme në sezonet e fundit, dhe përqendrimi në një ndryshim gjeneracional është përshpejtuar me lëvizjet e fundit në merkato.
Drejtuesit teknikë e konsiderojnë këtë si momentin ideal për të nisur një transformim të thellë në portë.
Në këtë situatë, Pep Guardiola ka shfaqur interes të qartë për ta afruar portierin në skuadrën e tij te Manchester City.
Trajneri katalanas, që e njeh shumë mirë ambientin e Barçës, beson se eksperienca e ter Stegen dhe aftësitë e tij me topin në këmbë do të përshtateshin në mënyrë perfekte me sistemin e lojës që aplikon ai në Angli.
Konteksti aktual mund t’i lejojë “Citizens” të negociojnë një transferim me një çmim shumë më të ulët sesa do të ishte menduar një vit më parë.
Nga ana e tij, ter Stegen shihet i hapur për një ndryshim ambienti, duke qenë se e ka humbur rolin e padiskutueshëm në Barcelonë.
Gjithçka duket se po shkon drejt një transferimi që do të mbyllte një epokë historike në portën e Barçës dhe që mund ta çojë ter Stegen në Premier League, për të nisur një kapitull të ri nën urdhrat e Guardiolës./GazetaExpress/