Luka Modrić tashmë ka përfunduar detyrimet e tij si lojtar i Real Madridit, pas eliminimit të klubit nga Kupa e Botës për Klube 2025, dhe është gati të bashkohet zyrtarisht me Milanin e Massimiliano Allegrit.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Modrić do të mbërrijë në Itali në fillim të javës së ardhshme për të kryer vizitat mjekësore dhe për të nënshkruar kontratën që do ta bëjë zyrtarisht lojtar të kuqezinjve.
Mesfushori 39-vjeçar, pas 13 sezonesh te Real Madridi, do të firmosë një kontratë njëvjeçare me opsion për një vit shtesë në “San Siro”.
Rroga e tij pritet të jetë rreth 3 milionë euro në sezon, sipas “Football Italia”.
Megjithëse mbërritja e Modrić është planifikuar për javën e ardhshme, tifozët e Milanit mund të duhet të presin pak më gjatë për ta parë atë në fushë.
“La Gazzetta” raporton se ai do të marrë disa ditë pushim pasi të ketë nënshkruar kontratën, për shkak të një sezoni të gjatë që ka zgjatur mbi 11 muaj.
Gjithsesi, Modrić raportohet se është i gatshëm të shkurtojë pushimet e tij me disa ditë për të nisur më herët integrimin në ambientin e ri.
Parashikimet janë që ai të nisë stërvitjet në “Milanello” gjatë javës që fillon më 4 gusht.
Kjo lëvizje përfaqëson një hap të ri në fundin e karrierës së një prej mesfushorëve më të mëdhenj të epokës moderne – fitues i Topit të Artë, i shumëfishtë kampion me Real Madridin dhe lider i padiskutueshëm në skenën ndërkombëtare./GazetaExpress/