Ish-trajneri i Milanit, Stefano Pioli, është zyrtarizuar si trajneri i ri i Fiorentinës, duke u rikthyer për herë të dytë në stolin e “La Viola”.
Pas një sezoni (2024-25) në Arabinë Saudite me Al-Nassr, ku punoi nën hijen e Cristiano Ronaldos, Pioli ka firmosur një kontratë trevjeçare, e cila do ta mbajë në Toskana deri në verën e vitit 2028.
Fituesi i Scudetto-s në sezonin 2021-22 me Milanin rikthehet në Firence, ku ka drejtuar edhe më parë mes viteve 2017 dhe 2019. Pas largimit nga Fiorentina në 2019, 59-vjeçari kaloi pesë vite te Milani, duke arritur sukses të madh në Serie A, ndërsa sezonin e fundit e kaloi në Ligën Saudite me Al-Nassr.
Presidenti i Fiorentinës, Rocco Commisso, e mirëpriti rikthimin e Piolit përmes një deklarate në faqen zyrtare të klubit:
“Jam shumë i lumtur për ardhjen e Stefano Piolit në krye të ekipit të parë të Fiorentinës. Që nga fjalët e para që ndamë, pashë te ai vlera të forta dhe dëshirë për të luftuar për këtë klub dhe për këtë qytet që e njeh shumë mirë. Unë, familja ime dhe e gjithë Fiorentina e mirëpresim rikthimin e Stefanos dhe i urojmë gjithë të mirat në këtë aventurë të re me fanellën vjollcë.”
Rikthimi i Piolit vjen në një periudhë ndryshimesh të mëdha në Serie A:
6 nga 10 skuadrat e para në kampionat gjatë sezonit 2024-25 kanë ndërruar trajnerë, përfshirë edhe Fiorentinën. Ai zëvendëson Raffaele Palladino, i cili qëndroi vetëm një sezon në drejtimin e klubit.
Skuadra të tjera që kanë ndërruar trajner pas sezonit të fundit janë Inter, Atalanta, Roma, Lazio dhe Milani, duke e bërë verën e 2025-ës një periudhë të madhe rinovimi për elitën e futbollit italian./GazetaExpress/