Luis Enrique foli për gazetarët para finales së Kupës së Botës për Klube kundër Chelseat dhe vlerësoi si turneun, ashtu edhe gjendjen e skuadrës së tij.
“Askush nuk e di vërtet se si po vjen skuadra tjetër në ndeshje. Por kjo nuk ka rëndësi. Finalja është afër dhe ndjehemi shumë mirë. Ka qenë një sezon historik dhe duam ta përmbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme,” tha ai.
Ai po ashtu foli edhe për suksesin e arritur gjatë këtij sezoni.
“Kam parë një qëndrim fenomenal nga të gjithë lojtarët. Sa i përket efikasitetit, ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm. Nëse do të më duhej të vlerësoja gjithë sezonin – do ta quaja i jashtëzakonshëm.”
Trajneri spanjoll po ashtu foli edhe për bashkëkombasin e tij, mesfushorin Fabian Ruiz, që po shkëlqen tash e një vit.
“Lavdërimet që po merr Fabián mund të thuhet se vlejnë për çdo lojtar të PSG-së. Kjo është çelësi i kësaj skuadre—të gjithë japin maksimumin. Ai pati vështirësi para dy vitesh, por tani është i pazëvendësueshëm.”
Enrique po ashtu tregohet modest, duke qëndruar me “këmbë në tokë”.
“Unë, yll? As për së afërmi. Më pëlqen ajo që bëj. Sidomos i shijoj momentet e vështira. Kur gjërat nuk shkojnë mirë, ndihem më i gjallë. Fitorja është fantastike sepse i bën njerëzit të lumtur, por gjithmonë jam ndier më rehat kur jam kritikuar sesa kur më kanë lavdëruar.”
Në konferencën e PSG-së nuk mbeti pa u përmendur edhe emri i Pep Guardiolas.
“Mund të jetë kështu. Por ka ende një finale për t’u fituar. Pasi ta fitojmë, mund të flasim. Duhet të japim gjithçka. Mjafton të shikoni City-n—i fitojnë të gjitha, humbin dhjetë ndeshje dhe menjëherë vihen në shënjestër. Pep mbetet trajneri më i mirë në botë—dhe prapë e kryqëzojnë.”
Enrique analizoi edhe kundërshtarin e finales, Chelsean, duke shtuar se trajneri Enzo Maresca i ‘pëlqen’.
“Vetëm njerëzit që nuk e njohin Chelsean do të thoshin ndryshe. Ata kanë një trajner që e admiroj shumë. Janë një skuadër e plotë. Kjo ndeshje nuk është aspak formalitet. Do të futemi në fushë me 100% përkushtim.”
Për fund, Enrique ‘zbuloi’ sekretin se çka e bënë Parisin kaq të mirë, por përmend edhe Topin e Artë.
“Të duhet një ekip me njëmbëdhjetë yje, jo vetëm një. Kjo është futbolli—dhe ky është qëllimi ynë. Jo vetëm njëmbëdhjetë, por trembëdhjetë, pesëmbëdhjetë… ylli i vërtetë duhet të jetë ekipi. Kjo është ajo për çka qëndron klubi ynë. Do të humbasim sërish, kjo është e sigurt. Duam yje—por në shërbim të skuadrës.”
“Nuk besoj në çmime individuale në përgjithësi, e aq më pak për trajnerët. Ekipi është i pari. Dembélé ka qenë më i miri këtë sezon për gola, asistime dhe përkushtim. Kjo për mua është shumë e qartë”.
Ndeshja finale e Kupës së Botës për Klube do të luhet nesër mes PSG-së dhe Chelseat me fillim nga ora 21:00./GazetaExpress/