Barcelona është plotësisht e vetëdijshme se për të rikthyer raportin financiar 1:1 të kërkuar nga La Liga – dhe për të pasur mundësinë të regjistrojë afrimet e reja – duhet të realizojë largime të tjera nga skuadra.
Ansu Fati tashmë është larguar, ndërsa edhe Pablo Torre do t’i bashkohet së shpejti Mallorcës, por klubi katalanas ka ende nevojë të shesë më shumë lojtarë për të arritur objektivin e vet financiar, shkruan “Gazeta Express”.
Emra si Marc-André ter Stegen, Andreas Christensen dhe Ronald Araújo konsiderohen si kandidatët kryesorë për t’u larguar, por ka edhe lojtarë të tjerë që mund të lejohen të shkojnë nëse vjen një ofertë e përshtatshme. Njëri prej tyre është Marc Casadó.
Casadó pati një pjesë të parë shumë të mirë të sezonit të kaluar, duke u bërë titullar i rregullt përpara Frenkie de Jong. Por në muajt e fundit ai humbi vendin në formacion, dhe me rikthimin nga dëmtimi të Marc Bernal para fillimit të sezonit të ri në gusht, Casadó pritet të bjerë më poshtë në hierarki.
Për këtë arsye, Barcelona nuk e ka mbyllur derën për shitjen e tij këtë verë. Çdo ofertë që i afrohet shumës prej 50 milionë euro pritet të merret në konsideratë. Dhe interesimi i parë duket se vjen nga Premier League, me “CaughtOffside” që raporton se Manchester United, Arsenal dhe Chelsea janë të interesuara për ta transferuar mesfushorin 21-vjeçar.
Arsenali dhe Chelsea thuhet se kanë bërë pyetjet e para për të kuptuar disponueshmërinë e tij, ndërkohë që Manchester United nuk ka kontaktuar ende, por e sheh Casadón si një alternativë për Manuel Ugarte, i cili pati një sezon të vështirë në “Old Trafford”.
Në një farë mënyre, do të ishte e mençur për Barcelonën të shesë Casadón ndërsa vlera e tij në treg është ende e lartë – veçanërisht nëse nuk është në planet për të qenë pjesë e rregullt e skuadrës sezonin tjetër. Megjithatë, largimi i tij do të ishte gjithsesi një humbje, duke pasur parasysh paraqitjet e shkëlqyera që ai bëri gjatë sezonit 2024-25./GazetaExpress/