Ralph Waldo Emerson (1803 – 1882), eseist, filozof, poet amerikanë; figura më me ndikim e lëvizjes trascendentaliste amerikane të shekullit XIX dhe frymëzues i pragmatizmitë; ndër kampionët e individualizmit dhe mendimit kritik.
DHURATAT
Nga R. W. Emerson
Dhurata e atij që më donte…
Atëherë s’do mend se duhej të më vinte;
e, kur nuk më donte më,
me turp duhej të ndalej.
Thuhet se bota është në gjendje falimentimië se bota i ka borxh botës më shumë se sa bota mund të paguajë, se do të duhej të përfundonte në gjyq dhe të nxirrej në shitje. Unë nuk shkoj me mendjen se kjo pamundësi e përgjithshme, në të cilën është e kurthuar e gjithë popullsia, është arsyeja e vëshirësisë, përvojën e së cilës e kemi gjatë Krishtlindjeve, Vitit të Ri dhe periudhave të tjera, kur shpërndajmë dhurata; në të vërtetë, prore është shumë e këndshme të jesh bujar, edhe pse pagimi i borxheve pastaj është diçka që të lodh së tepërmi. Por pengesa është te zgjedhja. Nëse në një moment të caktuar më vjen në mendje se duhet t’i bëj dhuratë dikujt, vazhdoj të vras mendjen se çka do të mund të dhuroja, derisa ikën mundësia nga duart. Lulet dhe frutat janë përherë dhurata të përshtatshme; lulet ngase, në mënyrë të mahnitshme, pohojnë se një rreze bukurie vlen më shumë se të gjitha veglat e botës. Këto natyra të hareshme janë në kundërthënie me fytyrën e natyrës së rëndomtë, me atë nuk e di se çka të rreptë; janë si muzika që dëgjohet të luhet në strehën e lypsarëve. Natyra nuk na miklon: jemi bij të vegjël të njeriut, jo kafshë të vockla të fushës; ajo nuk është përkëdhelëse; çdo gjë na është dhënë pa tutë, pa favore, sipas ligjeve të rrepta universale. E megjithatë, këto lule delikate duken një zënkë gazmore mes dashurisë dhe bukurisë. Njerëzit e kanë yakon të thonë se se e duam lajkatimin, edhe pse s’lejojmë të mashtrohemi prej tij, nga ai na tregon se jemi mjaftueshëm të rëndësishëm që të na vardisen të tjerët. Lulet na e dhurojnë një çikëy nga kjo kënaqësi: çka jam unë, i destinuari i këtyre joshjeve? Frutat janë dhurata të pranueshme, ngase janë ajka e të dobishmes dhe mundësojnë t’i lidhim me vlera të imagjinueshme. Nëse dikush do të kërkonte t’i bëja një vizitë duke përshkuar një qind milje dhe do të jepte një shportë me fruta të freskët verorë, atëherë do të mendoja se ia vlen barra qiranë.
Për dhurata e rëndomta, nevoja krijon për çdo ditë kompetenca e bukuri dhe jemi të lumtur kur një impertativ s’lë vend për asnjë alternativë, ngase, një fqinj i yni nuk ka këpucë, sigurisht se s’do parashtroni çështjen a t’ia siguroni a jo një kuti me ngjyra vaji. E ashtu siç gjithmonë është kënaqësi të shohësh një njeri duke ngrënë bukë, apo duke pirë ujë, në shtëpi a nën qiellin e hapur, po ashtu është gjithmonë një kënaqësi e madhe t’ua plotësosh nevojtarëve ato nevoja primare. Nevoja e bën mirë çdo gjë. Në gjendjen tonë të varësisë universale, duket heroike t’i hapësh rrugç atij që kërkon detyrën që të jetë gjykatës i nevojës së vet dhe të japë gjithë atë që kërkohet, edhe me çmimin e telasheve të mëdha. Nëse dëshira e shprehur është një fryt i pastër i fantazisë, më mirë t’u lihet të tjerçve detyra e ndëshkimit. Do të parapëlqeja mijëra role të tjera para atij të Furive. Afër gjërave të nevojës është rregulli që një mik ma këshillonte, pra se ne duhet t’i japim një personi atë që në mënyrë më tipike bën pjesë në karakterin e tij dhe që e asociojmë lehtësisht në mendimet tona. Megjithatë, shenjat tona të respektit dhe dashurisë janë përgjithësisht barbare. Unazat dhe stolitë e tjera nuk janë dhurata, por shfajësime për dhuratat. Dhurata unike është pjesë e vetes tënde. Ti duhet të derdhësh gjak për mua. Kështu poeti sjell poezinë e tij, bariu qengjin e tij, fshatari misrin e tij, minatori një gur të çmuar, marinari korale e guaska, piktori një pikturë, çupa një shami të qëndisur nga dora e saj. Kjo është e drejtë dhe e këndshme, ngase e kthen shoqërinë në themelet e saj zanafillore, kur biografia e një njeriu bashkëtretet në dhuratat e tij dhe pasuria e çdonjërit është një tregues i meritës së tij. Por bëhet një gjë e ftohtë dhe pa jetë, kur shkon në një dyqan për të më blerë diçka që nuk përfaqëson jetën dhe talentin tënd, por atë të shitësit të stolive. Të bësh dhurata në ar e argjend si simbol të ofrimit të mëkatit, apo të pagesës së një zhvatjejeje, është një gjë që e bën mbreti dhe njerëzit e pasur që përfaqësojnë mbretin dhe ka të bëjë me pronësitë e rreme.
Ligji i benefiteve është një kanal i zorshëm, që kërkon një lundrim të vëmendshëm, ose anije të forta. Marrja e dhuratave nuk është detyra e një njeriu. Po si dreqin keni guximin t’i bëni ato? Duam të mbështetemi te vetja jonë. Disi pothuajse kurrë s’e falim dhuruesin. Dora që na ushqen sikur rrezikon të kafshohet. Mund të marrim çfarëdo gjëje nga dashuria, sepse kjo është një mënyrë e marrjes nga vetvetja; por jo nga dikush që pandeh se po dhuron. Nganjëherë e urrejmë mishin që hamë, ngase duket të jetë një lloj i varësisë degraduese në të jetuarit me anë të tij.
Vëlla, nëse Zeusi të bën një dhuratë,
ki mendjen të mos marrësh gjë nga dora e tij.
Ne kërkojmë të tërën. Asgjë më pak nuk do të na kënaqë. Ia hedhim fajin shoqërisë nëse, përveç tokës, zjarrit, ujit, nuk ana jep mundësinë, dashurinë, respektin dhe gjërat e nderimit të thellë.
Një njerë i zoti është ai që di të pranojë mirë një dhuratë. Para një dhurate jemi ose të lehtësuar ose të zhgënjyer dhe në të dy rastet emocionet janë të pahijshme. Kur gëzohem ose ndiej pakënaqësi për një dhuratë, mendoj se ndodh diçka e dhunshme, se po pësohet diçka degraduese. Nuk jam në qejf kur gjurmohet pavarësia ime, apo kur një dhuratë më vjen nga ai që s’e njeh shpirtin tim, meqë akti mbështetet në asgjë; e po qe se dhurata më pëlqen tepër, atëherë do të duhej të turpërohesha nga mendimi se dhuruesi po e lexon zemrën time dhe e ka parë se unë e dua veglën që ma ka dhuruar, e jo atë. Dhurata, për të qenë e vërtetë, duhet të jetë rrjedha e dhuruesit, si lumi, deri tek unë, korresponduese e rrjedhës sime deri tek ai. Kur ujërat janë në të njëjtin nivel, të mirat e mia i kalojnë atij dhe të tijat mua. Të gjithë të mirat e tij janë të miat dhe të gjitha të miat janë të tijat. Unë i them: «Si mund të ma japësh këtë ampulë vaji a këtë fiasko vere, kur i gjithë vaji yt dhe e gjithë vera jote janë të miat, një bindje e imja që kjo dhruatë duket se e mohon?». Nga këtu vjen bashkëjetesa e gjërave të bukura, jo e atyre të dobishme, te dhuratat. Ky dhurim është një uzurpim sipërfaqësor, prandaj, kur përfituesi është mosmirënjohës, ngase të gjithë përfituesit i urrejnë të gjithë Timonët – duke mos e marrë aspak në konsideratë vlerën e dhuratës, por duke shikuar mbrapa kah dyqani më i pasur nga ku është marrë – unë ndiej simpati më shumë për përfituesin se sa për keqardhjen e tim zoti, Timonit. Në të vërtetë të presësh mirënjohje është një gjë vulgare dhe ndëshkohet vazhdimisht nga pandjeshmëria totale e personit që do të duhej të ndihej i obliguar. Është fat i madh të mund të largohesh i paprekur dhe pa ndier pakënaqësi nga ai që ka pasur fatin e keq të ketë qenë i shërbyer nga ju. Është një gjë fort e rëndë të jesh i shërbyer dhe borxhliu ka dëshirën natyrore t’jua fusë ndonjë dackë. Një tekst rrezellitës për këta zotërinj është ai që e adhuroj shume te budisti, i cili nuk falënderon kurrë dhe thotë: «Mos i mikloni bamirësit tuaj».
Mendoj se arsyeja e këtyre mospajtimeve qëndron në pamatshmerinë mes një njeriu dhe çfarëdo dhruate. Kurrë nuk mund t’i jepni asgjç një njeriu zemërgjërë. Pasi që ta keni shërbyer, ai ju bën menjëherë borxhlinj të zemërgjerësisë së tij. Shërbimi që një njeri i bën një miku është banal dhe egoistiik, po u krahasua me shërbimin që, siç ai e di mirë, miku do të ishte i gatshëm t’ia bëj, ende para se të kishte filluar të shërbente mikun, edhe tash që është në gati ta shërbejë. Krahasuar me dashamirësinë që kam ndaj mikut tim, benefiti që mund t’i bëj duket pak gjë. Ndërsa aksioni që ushtrojmë mbi njëri-tjetrin, qoftë i mirë qoftë i keq, është aq rastësor sa rrallëherë mund të hasim në mirënjohjen e një personi çfarëdo që do të donte të na falënderonte për një benefit, pa ndier pakëz turp dhe poshtërim. Veç rrallë ia dalim të ndreqim një goditje të drejtpërdrejtë dhe duhet të kënaqemi me një të tërthortë: rrallhëherë kemi kënaqësinë të prodhojmë një benefit të drejtpërdrejtë, që merret drejtpërdrejt. Por ndershmëria i shpërndan në të gjitha anët faovret e saj pa e ditur dhe me habi i merr falënderimet e të gjithë njerëzve.
Kam frikë të shprehem duke tradhtuar madhështinë e dashurisë, që është gjenia dhe zoti i dhuratave, të cilës nuk duhet t’i krijojmë përshtypjen se po imponohemi duke ia përcaktuar se si do të duhej të vepronte. Le ta lëmë atë të dhurojë mbretëri ose petale lulesh, pa dallim. Ka persona nga të cilët presim gjithmonë manifestime që të jenë si magji zanash; nuk reshtim së prituri. Kjo është një prerogativë dhe ajo nuk duhet të kufizohet nga ligjet tona shpirtvogla provinciale. Kurusi, ma ka ënda të vërej se nuk nuk mund të blihemi as shitemi. Më e mira e mikpritjes dhe bujarisë nuk gjendet te vullneti, por te fati. Unë zbuloj se nuk jam kushedi se çka për ty; ti nuk ma ke nevojën; ti nuk më dëgjon; atëherë mua më është treguar dersa, sado që ti më ofron shtëpi e toka. Asnjë shërbim nuk është i ndonjë vlere të caktuar, por vetëm një hije e saj. Kur unë u mundova të bashkohesha me të tjerët përmes shërbimeve të mia, kjo doli të ishte vetëm një marifet intelektual, asgjë më shumë. Ata i hanë shërbimet e tua si mjaltë dhe të lënë jashtë. Por duaji dhe ata do të të dëgjojnë dhe do të gëzohen përherë pranë teje.
/Marrë nga: Ralph Waldo Emerson, ‘Societa e solitudine’, Diabasis, 2008
/Gazeta Express
Pritjes i erdh fund! Rrjeti i marketeve më të mëdha në Kosovë, ETC ka njoftuar për fillimin e fazës...