Ditari i javës/ Cocteau: 27 gusht 1945 - Gazeta Express
string(35) "ditari-i-javes-coctau-27-gusht-1945"

Arte

Gazeta Express

11/07/2025 18:16

Ditari i javës/ Cocteau: 27 gusht 1945

Arte

Gazeta Express

11/07/2025 18:16

Jean Cocteau (1889-1963), poet, prozator, eseist, dramaturg, skenarist, regjisor dhe aktor francez, ka mbajtur ditarin e realizimit të filmit të tij, La Belle et la Bête, duke filluar nga data 26 gusht 1945, një ditë para se të fillonte xhirimet, e deri më 1 qershor 1946, një ditë pasi që ishte dhënë filmi në kinema.

27 gusht 1945

E hënë, mëngjes, 7:30

Këtë mëngjes më duhet të ngurtësoj, të modeloj në kohë dhe hapësirë, diçka që e kam ëndërruar prej një kohe të gjatë, imagjinuar, parë në një ekran të padukshëm. Dhe më duhet ta bëj këtë në copëza, para, mbrapa, në fillim, më vonë, në atë mënyrë që montazhi t’ia lejojë vazhdimësinë dhe jetën. Duhet t’i vendosim këto linja të pëlhurave të tharjes me perspektivën e teatrit të Viçencës1, t’i heqim prej aty ku janë dhe t’i vendosim në disa vende të tjera, me qëllim që të sigurohen xhirimet në kundërdritë dhe të ndiqen reflektimet e diellit. Duhet të mos harrojmë të thajmë pëlhurat që t’i bëjmë më të tejdukshme. Duhet të ngulim mbajtëse të cohave që të qëndrojnë drejt, të presim bambu për kapëset e rrobave dhe me anë të llambave t’i kundërvihemi hijes së tepërt. duhet të shmangim terrenin e përparmë, që s’do të bjerë ndesh me pjesën e prapme të kopshtit, pastaj të rimbjellim këtë linjë dekori në kopsht, kur Beauty shkon dhe ulet kur Avenant e merr çarçafin e parë si të ishte një perde teatri, duke zbuluar bankën në prapavijën e linjave të bardha. Madje duhet të kujtohemi që kurrë të mos e përdorim fjalën “litar”, që është tabu në filmat që kanë të bëjnë me dhimbjen e një gjobe. E gjitha është një përzierje e realizmit dhe fantazisë sa s’më zë gjumi dot dhe po më shterin forcat duke u munduar të parashikoj vështirësitë e fundit.

Artistët – Mila Parey, Nane Germon, Marais, Michel Auclair – do të vijnë në orën nëntë. Më duhet t‘i vë në vendet e tyre, t’i vesh, t’i përlyej, t’ua gris rrobat, derisa të duken mirë për një rrëfim kur pisllëku nuk është pisllëk, ku, siç thotë Goethe, e vërteta dhe realiteti e kundërshtojnë njëra-tjetrën (si hijet që bien në mënyrën e gabuar mbi gravurën e Rubensit2). Duhet të drekojmë në set.

E hënë, mbrëmje, 7:30

Një fillim i vështirë në mot të mrekullueshëm që u ngrys rreth orës pesë. Ta zinte frymën. Më mundoi goxha fort vera që pronari i shtëpisë më detyroi ta pi, pavarësisht se këtu ka ujë nga një burim aq i kthjellët sa kafshët mashtrohen duke menduar se lugarja është boshe. Ka vende të larjes, përrenj dhe ujëvara ngado.

Dekori është i llojit që më duhet ta bëj me duart e mia; askush s’mund të më ndihë. Veç kësaj, mbështetëset e cohës anohen, linjat e cohës nuk po nderen, çarçafët ishin tepër të shkurtër dhe nuk mjaftonin në sasi. Nisi të frynte një erë që i valëviste pareshtur dhe i prishi perspektivat e tyre. Kostumet rrinë mrekullisht në muret e linjta dhe bëjnë hije të mirë përmes tyre. Por, nga fati i keq, në orën pesë retë u përhapën ngado dhe një qiell shtrëngatash më bëri të ndërpres punën me xhirimet e gjata me shumë aktorë dhe të përdorja llambat për planet e para. Mila pozoi, pozoi, pozoi, e humbi gjakftohtësinë. Kamera pësoi një prishje. Elektricistët dhe punëtorët u munduan ta ndreqin, por s’ia dolën, kështu që e ndërpremë punën. Raporti i punës që do të dorëzoj është në rregull për firmën, por sa më përket mua – puna ime është ndërprerë në mes. Isha duke e marrë pushim. Zbrita poshtë përsëri. U ktheva i rraskapitur në Tours, Vouvray,  i pakënaqur. Kisha shpresuar se moti i mirë do të zgjaste, se do të ndryshoja ritmin tim normal dhe se do të shijoja një ritëm të fatit të mirë. Isha naiv. Të njëjtat vështirësi më ndjekin dhe duke qenë se çdo herë shfaqen nga një kënd i ndryshëm, më zënë të papërgatitur.

A do të dalë dielli ndonjëherë? A do të kemi një kamerë që funksionon? A do të shkojë keq edhe ndonjë gjë tjetër? Do të mundohem të fle dhe pres. Të pres. Kështu është kjo puna e filmave.

***

Po të mos kisha qenë i përthithur nga kjo barakë karnavali e punës, do të kisha shijuar pamjen e këtij kopshti dhe këtë shtëpi të vockël të përsosur ferme, të gjallëruar nga aktorët që lahen dhe sorollaten përreth tavolinës së madhe të kuzhinës dhe punëtorët që rrinë dhe hanë darkën e tyre në dërrasa të vendosura mbi këmbalecë. Dashamirësi. Është mjet i rrezikshëm. Punëtorët më duan; heqin dorë nga zakonet e tyre për mua. Por për gjithë këtë unë në fund punoj për veten time. Carné, Christian, etj. – zemërohen, kanë kërkesa dhe binden. Këtë mbrëmje, pas darkës, fola me Darbonin. I thashë se mendoj se ishte pothuajse si një shenjë nga zoti që u prish kamera, ngase ky set duket sikur të jetë nxjerrë nga shamitë e kokës dhe shkopnjtë ecës, të rregulluar për ndonjë sharadë, aso si ato që nganjëherë i improvizoja me Berardin në dhomën time. I thashë se kjo të jep një jep një ide të thjeshtë të cilën ai duhet ta kuptojë tash, dhe se, edhe nëse qielli ka qenë si sot, në fund të fundit unë doja të gjeja një set të vërtetë kur të mbërrija, jo thjesht një improvizim teatror poetësh. Pas kësaj shkova të fle. Qielli është ende i ngrysur. Mund të shquaj vetëm fare pak yje. Pemët po i shkund era. Më treguan se e kanë ndrequr kamerën, por ka gjasë që ende dridhet ashtu që nuk mund ta mbash në dorë. S’ka gjë më të keqe se të rrezikosh një marrje vetëm e vetëm që të kuptosh paskëtaj se nuk ka fokus. Do të jem pa qejf nesër për shkak të kësaj gjëje.

Shënime:

Teatri Olimpico, vepra e fundit e Palladit, e nisur më 1580, e njohur për efeketet optike.

I refereohet njërit prej bashkçbisedimeve të Eckernrannit me Goethen (18 prill 1827), ku Goethe përdor një gravurë të Rubensit me hije të vendosura në mënyrë arbitrare si një shenbull të një të vërtete artistike “më të vërtetë” se realiteti.

/Marrë nga Jean Cocteau, Diary of a Film, Film Desk Books, 2022

/Gazeta Express