NGA RUBEN AVXHIU
Kujtimi i masakrës mizore që ndihmoi për të shpëtuar Kosovën, por që mbetet një mësim i panxënë për njerëzimin
30 vjet më parë, forcat serbe të Bosnjës pushtuan një qytezë me emrin Srebrenica. Nuk ishte vendbanimi i parë që pushtonin. Në fakt, serbët zotëronin atëherë gati 70% të Bosnjës, ndërsa lufta kishte hyrë në vitin e saj të katërt. Ajo që ndryshonte në rastin e Srebrenicës ishte që qyteza ishte shpallur “strehë e sigurt” nga OKB-ja dhe mijëra civilë boshnjakë, të mbetur pa shtëpi ishin mbledhur aty me të vetmin qëllim që të mbijetonin. Civilët e tmerruar lanë qytetin dhe u mblodhën në një bazë ushtarake që strehonte “kaskat blue” të OKB-së. Rreth 300 ushtarë holandezë të armatosur lehtë u hapën dyert e bazës dhe 20,000 veta u dyndën brenda deri sa nuk kishte më asnjë metër katror hapësirë. 10,000 të tjerë mbetën jashtë të hyrja dhe pritej të vinin më shumë njerëz. Nuk vonuan as forcat serbe. Në ditët që vijuan, ndërsa bota rrinte e shikonte, ndodhi masakra më e madhe në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore. Ishte një ngjarje që rrënoi në mënyrë të pariparueshme imazhin e Kombeve të Bashkuara. Njollosi në mënyrë përfundimtare drejtuesit serbë të Bosnjës, si dhe krijoi një precedent për ndalimin e përsëritjes së të cilit u bë ndërhyrja ushtarake e NATO-s që çliroi Kosovën. Serbët janë justifikuar me vite, se ishin sulmuar të parët nga boshnjakët që ndodheshin në Srebrenicë.
Por kur hynë në qytet, aty nuk kishte njerëz të armatosur. Edhe nëse kishte pasur forca që i kanë qëlluar, ekzekutimi i popullsisë civile nuk kishte asnjë shpjegim ushtarak. Civilët u ndanë në mënyrë metodike dhe u ekzekutuan me radhë, në një proces të qetë dhe të organizuar mirë që me të drejtë është shpallur nga ekspertët e së drejtës ndërkombëtare si gjenocid. Synimi ishte shfarosja e një popullsie të tërë, duke eliminuar të gjithë meshkujt në moshë, duke filluar nga fëmijët e shkollave të mesme. Ata u vranë kur luftimet kishin ditë që kishin mbaruar. Në 11 korrik 1995, pasi mori në dorë qytetin, gjenerali serb Ratko Mlladiq, një psikopat me uniformë, në vend që të gëzohej me kapjen e një objektivi, turfullonte që kishin guxuar ta pengonin me disa predha nga qielli. Pasi mësoi se qyteti ishte gati i gjithi i zbrazur, u drejtua bashkë me trupat e tij, shumë prej të cilëve paraushtarakë, gangsterë, plaçkitës e kriminelë ordinerë në bazën ushtarake të OKB-së. 300 ushtarët e OKBsë në atë bazë kishin qëlluar të ishin holandezë. Nuk ishin ndonjë forcë e madhe, por mund të flisnin në emër të gjithë botës. Edhe Rusia, mbrojtësja historike e serbëve kishte votuar në favor të vendosjes së tyre aty. Mlladiq nuk kishte çfarë t’i bënte NATO-s, por kërkoi që t’i sjellin përpara komandantin holandez të bazës.
I gjithë takimi është filmuar dhe mbetet një nga dëshmitë më të turpshme të paaftësisë së njerëzimit për të ndaluar të keqen brenda vetes. Janë pamje të vështira për t’u parë. Mlladiq sillet si një bishë që e ka bllokuar në një kënd prenë e tij dhe ia zgjat agoninë përpara sulmit fatal. Si duke lehur, ai i përvishet në serbisht duke i kërkuar llogari ushtarakut holandez nëse kishte urdhëruar ai që të bombardoheshin serbët. “Unë nuk komandoj dot NATO-n” i ishte justifikuar mes të tjerash me zë të mekur. Gjenerali serb kishte thënë se kështu ishin përpjekur t’i vrisnin edhe pushtuesit turq në 1804, por kishin gjetur vetë vdekjen. Pastaj i kishte zgjatur një cigare komandantit holandez që dridhej përpara tij. “Mos u bëj merak. Nuk do të jetë cigarja e fundit e jetës tënde”, i tha. Si në një skenë teatri absurd, Mlladiq i tha se që nga ai moment civilët boshnjakë dhe ushtarët holandezë ishin në dorën e tij, por do të trajtoheshin shumë mirë, nëse bënin çfarë do t’u thoshte. Komandanti i OKB-së e falënderoi për humanizmin e tij. Nën urdhrin e Mlladiqit, serbët filloi ndarja e civilëve: burrat dhe djemtë në një anë kurse gratë, pleqtë dhe fëmijët në një anë tjetër. Këta të fundit u lejuan të shkojnë në Tuzla, një tjetër “strehë e sigurt” e OKB-së. Serbët kishin sjellë autobusë, por civilët që nuk kishin para apo gjëra të shtrenjta për të shkëmbyer nuk u lejuan në autobusë. Ata u detyruan ta bëjnë rrugën në këmbë duke ecur nëpër toka të minuara, nëpër errësirën e natës e në kushte të rënda fizike. Për vajzat dhe gratë ishte pak më lehtë të siguronin një vend në autobus. Ato merreshin dhe përdhunoheshin masivisht nga serbët.
Një nga pamjet më tronditëse të botuara në faqen e parë të gazetës britanike “The Guardian” në atë kohë ishte një vajzë e veshur me fund të bardhë, që kishte varur veten në një degë peme në mes të pyllit, pasi kishte vrapuar me ditë për t’u shpëtuar serbëve dhe në fund e kishin lëshuar nervat. Vetëvrasjet janë mbase fenomeni më pak i përfolur i Srebrenicës. I njerëzve që i shpëtuan fizikisht masakrës, por vdiqën mendërisht e shpirtërisht e i dhanë vetë fund jetës. Burrat dhe djemtë dërgoheshin grupe-grupe në fshat me emrin Bratunac “për t’u marrë në pyetje”, ku në fakt ekzekutoheshin në masë. Asnjë prej tyre nuk u kthye i gjallë. Disa u detyruan të hapnin vetë një gropë të madhe, të futeshin brenda dhe pastaj të bëheshin viktima të një granate shpërthyese që e ktheu masën e njerëzve në një grumbull gjymtyrësh e pjesësh trupore në flakë. Mizoria serbe ishte tronditëse. Në fund, gati 8,000 civilë të pambrojtur u vranë. Emrat e tyre mund të lexohen sot në pllakat e bardha të memorialit të instaluar përpara varrezën me mijëra varre, një vragë në kujtesën botërore. Për të siguruar se nuk do të bombardohej nga NATO në Srebrenicë, Mlladiqi urdhëroi marrjen peng të 55 ushtarëve holandezë, që u vendosën si mburoja njerëzore në pika strategjike ku ndodheshin forcat serbe. Turpërimi i kaskave blu të OKB-së ishte i plotë.
Rruga nga Srebrenica në Tuzla u kthye në një lumë lotësh të familjeve të ndara që e dinin se çfarë po ndodhte. Kjo po ndodhte në Europë, më 1995. I dërguari i OKB-së për Ballkanin, Jasushi Akashi tha se boshnjakët kishin faj se kishin provokuar vetë serbët duke i qëlluar nga Srebrenica. Këshilli i Sigurimit të OKB-së u mblodh dhe miratoi një rezolutë, ku u bënte thirrje të dyja palëve që të ndërprisnin luftimet në Srebrenicë. Ishte një tallje. Katër vite më vonë, kur disa kritikë ankoheshin se pse NATO po hynte në Kosovë pa lejen e OKB-së, njerëzit me të drejtë kujtonin kotësinë e legjitimitetit të Kombeve të Bashkuara, në praninë e ushtarëve të së cilës ishte bërë Masakra e Srebrenicës. Pafuqia ndërkombëtare rriti agresivitetin dhe vetëbesimin e serbëve të Bosnjës që shtuan sulmet dhe bombardimet edhe ndaj Sarajevos, Zhepës, Bihaqit, Tuzlës e Gorazhdes. Kriminelët e luftës Radovan Karaxhiq dhe Mlladiq, deklaronin se fitorja e plotë ishte afër. Por, historia kishte pësuar një kthesë në Srebrenicë, ndonëse u desh kohë për serbët që ta kuptonin. Në një akt të pamendueshëm përpara dhe pas asaj periudhe, patrullat amerikane të Adriatikut, mbyllën njërin sy, ndërkohë që armatime nga Irani dhe Turqia zbarkoheshin në një port të Kroacisë dhe që aty udhëtonin në duart e boshnjakëve. Armatimet dhe specialistët gjermanë që po ndihmonin ushtrinë e Kroacisë papritmas zbuluan se amerikanët nuk po monitoronin më. Kur ambasadori amerikan kërkoi udhëzim nga Uashingtoni, përgjigjja ishte që “udhëzimi është që nuk ke asnjë udhëzim”. Më 4 gusht, ushtria kroate filloi sulmin ndaj pozicioneve serbe në Krajinë. Disa vjet më parë, serbët kishin qenë superiorë, tani epërsia ushtarake kishte kaluar në anën tjetër. Në pak ditë forcat serbe u thyen dhe braktisën territorin kroat. Serbët papritmas po përjetonin që u kishin shkaktuar të tjerëve. Pasi fshatrat e para serbe të kapura, u dogjën me zjarr, të tmerruar nga hakmarrja e mundshme kroate për krimet ndaj popullatës civile në Vukovar e Dubrovnik, qindra mijëra serbë ndoqën nga pas trupat e tyre.
I gjithë territori kroat u vu në zotërim të Zagrebit. Ofensiva vijoi në Bosnje. Të përforcuar, boshnjakët filluan të thyejnë pozicionet serbe. Në bashkëpunim me kroatët, ishte mundësia për të përmbysur tërësisht situatën. Si mund të kishte vazhduar lufta pas kësaj? Mbase serbët në Bosnje do të pësonin fatin e bashkatdhetarëve të tyre në Kroaci. Pas Srebrenicës, kapitali i tyre politik në botë ishte zero. Edhe Millosheviqi në Beograd pretendonte se Karaxhiqi dhe Mlladiqi i kishin dalë nga dora. Mirëpo, situata e re ishte edhe një rast për të bërë paqe dhe për ta mbyllur luftën përgjithmonë, pikërisht tani kur pala më agresive dhe më e vështirë për t’u ulur në bisedime – serbët – ishin në arrati. Srebrenica hapi rrugën për paqen në Dejton, që i dha fund luftës në Evropë dhe detyroi Serbinë të njihte Bosnjën dhe shpërbërjen e Jugosllavisë. Katër vjet më vonë, kujtimi i Srebrenicës do të luante rol të madh në konfliktin e Kosovës. Ndërsa forcat serbe në luftë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës filluan të zbatonin të njëjtin skenar të goditjes së qëllimshme të civilëve të pafajshëm për të rrënuar moralin e luftëtarëve dhe për të krijuar konflikt mes tyre dhe popullsisë shqiptare, hija e një Bosnje të dytë u shfaq në horizont. Nëse tragjedia e Ruandës dhe e Srebrenicës patën një të mirë, ishte gatishmëria ndërkombëtare për të mos lejuar përsëritjen e tyre në Kosovë. Situata morale bëhej akoma edhe më e qartë nga prania në Kosovë e po atyre paraushtarakëve e kriminelëve të luftës veteranë të masakrave të Bosnjës.
Historia rrallë të jep një shans të dytë për të vënë në vend drejtësinë, por Kosova ishte shansi i udhëheqësve perëndimorë për të qetësuar ndërgjegjen e tyre të njollosur rëndë në Srebrenicë. 30 vjet pas Masakrës së Srebrenicës, kriminelët ende nderohen e adhurohen në shoqërinë serbe. Bosnja mbetet ende një shtet i ndarë dhe i pafunksionueshëm. Ndërsa për fat të mirë në pjesën më të madhe të Evropës, NATO ka fituar një rol të ri që garanton sigurinë dhe paqen, në pjesën tjetër të botës, përfshi edhe kufirin lindor, në Ukrainë, bota mbetet e pafuqishme për të ndaluar konfliktet e masakrimin e civilëve, apo për të gjetur se kush ka të drejtën, forcën dhe gatishmërinë për të vepruar si polic e gjykatës për të vendosur rendin dhe paqen. Homazhet dhe kujtimet për Srebrenicën, tashmë një ritual i zakonshëm sidomos i jubilarëve, janë të domosdoshme dhe një borxh që u ka njerëzimi viktimave të masakruara, por do të mbeten të njollosura nga mësimet e panxëna të historisë. Për shqiptarët është një përvjetor ndjenjash të përziera. Një kujtim se fatet ndonëse janë të ngjashme, nuk janë njësoj.
Pritjes i erdh fund! Rrjeti i marketeve më të mëdha në Kosovë, ETC ka njoftuar për fillimin e fazës...