Dy turistë humbën jetën tragjikisht dhe një grua ndodhet në gjendje kritike pas dy ngjarjeve të rënda që ndodhën brenda disa orëve në plazhet e Shqipërisë.Një 59-vjeçar nga Tirana ka humbur jetën nga arresti kardiak sapo ka hyrë në det në Plazhin e Qerretit.
Ndërkohë, në të njëjtën kohë, një ngjarje tjetër e rëndë ka ndodhur në zonën e Lungomares në Vlorë, ku dy turiste ukrainase janë nxjerrë nga deti në gjendje të rëndë. Ndërsa njëra prej tyre ka humbur jetën në spital, vajza e saj ndodhet në gjendje kritike.
Ngjarja ka ndodhur në sy të shumë turistëve që po pushonin në këtë zonë. Shtetasi Fitim Bozheku, një vrojtues plazhi, ka ndërhyrë menjëherë duke iu dhënë ndihmën e parë dy turisteve dhe i ka nxjerrë ato në breg. Pas ndërhyrjes urgjente, dy shtetaset ukrainase janë dërguar menjëherë në Spitalin e Vlorës, por gruaja nuk ka mundur të mbijetojë.