Pas 40 vitesh lufte të armatosur kundër shtetit turk, organizata e ndaluar kurde PKK do të mbajë të premten një ceremoni simbolike në Sulejmani të Irakut për të shënuar fillimin e çarmatimit.
Sipas mediave turke, ky proces që do të zgjasë gjatë gjithë verës, po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe me vëzhgimin e përfaqësuesve të opozitës pro-kurde në Turqi dhe të mediave.
Kujtojmë se, që nga nisja e konfliktit në vitin 1984 janë vrarë rreth 40,000 njerëz. PKK-ja është e shpallur si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA, BE dhe Britania. Ndërsa, ndikimi i këtij çarmatimi pritet të ndihet përtej kufijve të Turqisë – edhe në Irak, Siri dhe Iran.
Pak ditë më parë, me një video-mesazh nga burgu, lideri i PKK-së, Abdullah Ocalan, tha se bëhet fjalë për një “kalim vullnetar nga konflikti i armatosur në politikë demokratike dhe ligj”.
Dihet se kjo nuk është përpjekja e parë për paqe, por tani po shihet si shpresa më reale për t’i dhënë fund konfliktit që filloi si lëvizje marksiste për pavarësi dhe më vonë kërkoi autonomi për kurdët që përbëjnë rreth 20% të popullsisë së Turqisë.
Qeveria turke e ka bërë të qartë se nuk do të kthehet në tryezën e dialogut pa çarmatimin e plotë të PKK-së — dhe kjo tashmë duket se është gati të ndodhë.