Reagon Klubi letrar “De Rada” për mospërkrahje nga MKRS - Gazeta Express
string(53) "reagon-klubi-letrar-de-rada-per-mosperkrahje-nga-mkrs"

Arte

Gazeta Express

10/07/2025 16:01

Reagon Klubi letrar “De Rada” për mospërkrahje nga MKRS

Arte

Gazeta Express

10/07/2025 16:01

Drejtues të Klubit Letrar “De Rada” kanë reaguar për mos mbështetjen financiare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga thirrja e fundit për mbështetje të OJQ-ve. Ndër të tjerash në reagim thuhet së MKRS-ja po shpërfill koloninë tradicionale “Muzat e Jezercit” dhe se nuk u është ofruar asnjë sqarim për këtë shpërfillje.

Reagimi i plotë:

Dje, më 8 korrik, pas pesë muajsh pritjeje më në fund u publikua nga MKRS lista preliminare e përfituesve të “Thirrjes publike për projekt-propozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë”. Edhe pse këtë vit Ministria e Kulturës paska treguar një bujari vërtet të pazakontë në shpërndarjen e fondeve, çuditërisht e ka injoruar me gjakftohtësi një aktivitet tradicional, unik dhe shumë të vlerësuar nga komuniteti i artistëve dhe i shkrimtarëve nga të gjitha viset shqiptare. Kolonia letrare “Muzat e Jezercit” – edicioni i tetë, ishte projekti i vetëm me të cilin Klubi letrar “De Rada” – Ferizaj ka aplikuar në thirrjen publike të këtij viti. Derisa komisioni vlerësues (natyrisht anonim) ka ndarë shuma të konsiderueshme për jo më pak se 265 projekte në katër kategori, përfshirë edhe projekte të panjohura për publikun, nuk e ka vlerësuar të nevojshme të japë as minimumin e atyre shumave për një projekt që për vite me radhë ka qenë një pelegrinazh poetik ku kanë lënë gjurmë edhe emra të shquar të letërsisë shqipe.

Meqë deri më tani MKRS nuk na ka ofruar asnjë sqarim lidhur me këtë shpërfillje, është e vështirë ta kuptojmë se për çfarë arsye nga mbi 200 mijë euro që janë dhënë për shoqata e aktivitete që zhvillohen në Ferizaj, pikërisht Klubit letrar “De Rada”, i vetmi institucion letrar me histori të gjatë dhe kontribut të qëndrueshëm, nuk i është ndarë asnjë cent. Kur një klub letrar me histori 55-vjeçare të funksionimit (i themeluar që në vitin 1970), që i ka mbijetuar shtypjes së okupatorit, censurës, djegies së librave e gjithë pasigurive të tranzicionit, përjashtohet me lehtësi nga skemat e mbështetjes publike, mesazhi që u përcillet heshturazi krijuesve dhe lexuesve është i trishtë, por i qartë:“Ju nuk jeni të rëndësishëm. Nuk na interesoni.”

Dhe ky refuzim nuk ndodh në një kontekst të zakonshëm, por pikërisht në kohën kur më shumë se kurrë, ne si shoqëri, po i vuajmë pasojat e mungesës së kulturës së leximit. Në një kohë kur orientimi i fëmijëve, nxënësve e studentëve kah libri, kah mendimi kritik e kah vlera e fjalës së shkruar është një sfidë kombëtare, institucionet publike dërgojnë mesazhe të kundërta, duke i shpërfillur e injoruar atë pakicë intelektualësh që ende përpiqen të mbajë gjallë vlerat e mirëfillta letrare. Në përshtypjet e tij për edicionin e kaluar të kolonisë “Muzat e Jezercit” një krijues pjesëmarrës e quajti atë Panteon letrar, sepse “për tri ditë me radhë, aty ndjehet fuqishëm fryma e poezisë; e poeti jo vetëm flet për muzën, por bëhet vetë muzë. Aty nuk ka demagogji, as patetikë, as snobizëm, por modesti të thellë, nderim të sinqertë dhe përulje dinjitoze përpara gjuhës së krijuesit. Aty ka njerëzi. Ka respekt. Ka frymë bashkësie. Të gjithë janë të një gjaku krijues, të një fisi shpirtëror. Është një hapësirë ku dashuria për letrën e shkruar përkthehet në afeksion njerëzor. Të gjithë familjarizohen, bashkëfrymojnë, gjallërojnë për të dëshmuar një të vërtetë që shpesh heshtet: poetët kanë fisin e vet.”

Në vend se MKRS, krahas institucioneve të tjera përkatëse lokale e qendrore të krijojë një strategji nacionale për t’i mbështetur dhe avancuar manifestimet e tilla, por edhe shoqatat që mbartin në vete trashëgimi kulturore, ndodh tërësisht e kundërta, shpërfillja, injorimi dhe përbuzja. Kërkimi i arsyeve për veprimet e tilla të MKRS- së është një rrugë që nuk shpie askund, sepse duket që janë komisionet vlerësuese, që i mbijetojnë çdo sistemi e që nuk kanë kurajën të zbulojnë as emrat e tyre, ata që u hapin ose u mbyllin dyert njerëzve të kulturës. Kriteret e tyre të përzgjedhjes sigurisht që do të mbeten enigmë për ne të tjerët që nuk kemi arritur t’i mësojmë shtigjet ilegale të gërryerjes së themeleve të shtetit dhe qenësisë sonë.

Në reagimet e tilla të viteve të fundit, kur jemi gjetur në situatë të njëjtë, ishim të vendosur të vazhdojmë të përmbushim angazhimet tona brenda atyre pak mundësive që na ofroheshin. Ishim të bindur që nuk është turp të kërkohet mbështetje për letërsinë, sepse ishte letërsia, fjala fluturake e Naimit dhe rilindësve të tjerë që na kthyen dinjitetin kombëtar. Edhe sot, nuk e konsiderojmë turp t’i drejtohemi një ministrie që investon në drita, imazhe, tinguj e ngjyra, por që e shpërfill fjalën, mendimin dhe shpirtin krijues të shoqëri. Por vjen një çast, kur trokitja e vazhdueshme në porta, prapa të cilave ka njerëz që e mbulojnë babëzinë me petkun e kulturës, të lodh, të bën të ndjehesh Sizif… dhe të heqësh dorë nga përpjekja për të ndërtuar kulla në erë. Ndoshta dikush me të drejtë mund të thotë se nuk ka asgjë tragjike nga kjo lodhje, kur dihet se në rrethana të ndryshme janë dorëzuar e janë harruar edhe personalitete kolosale të kulturës sonë. Por, ne si klub kemi frikë që kjo lodhje do të jetë edhe fundi i një veprimtarie që arriti të mbijetojë mbi gjysmëshekulli. Fundi i një “objekti të trashëgimisë kulturore”, që pasi të shuhet nuk mund të restaurohet më.

Nëse kultura në Kosovë matet me festivalet komerciale që promovojnë gjithçka përveç librit, nëse vlerësohen projekte që s’kanë as gjurmë të traditës, ndërsa anashkalohen përpjekjet serioze për të ruajtur letërsinë si themel të kulturës sonë kombëtare, atëherë nuk kemi të bëjmë me një politikë të dobët kulturore, por me një shkatërrim të qëllimshëm të saj nga institucionet që duhet ta ruajnë atë. Me shpërfilljen e kolonisë “Muzat e Jezercit” Ministria e Kulturës nuk ka dështuar në një thirrje, por ka dështuar në misionin e saj.

Zyrafete Shala

Kryetare e Klubit Letrar “De Rada” – Ferizaj

Korrik 2025