Presidenti amerikan Donald Trump lavdëroi të mërkurën presidentin e Liberisë, Joseph Boakai, për zotërimin e mirë të gjuhës angleze. Por lideri afrikan është i shkolluar në Liberi, ku anglishtja është gjuhë zyrtare.
Gjatë pritjes së pesë liderëve afrikanë në Shtëpinë e Bardhë, Trump e pyeti Boakain: “Sa anglishte e mirë, është e bukur. Ku ke mësove të flasësh kaq bukur?”.
Boakai e informoi Trumpin për vendin ku ishte arsimuar, gjë që ngjalli kuriozitetin e presidentit amerikan. “Shumë interesante”, tha ai. “Kam pasur njerëz në këtë tryezë që nuk flasin as për së afërmi kaq mirë”.
Liberia u themelua në vitin 1822 nga Shoqëria Amerikane për Kolonizim, që kishte për qëllim vendosjen e skllevërve të liruar në Afrikë. Vendi shpalli pavarësinë nga kjo shoqëri më 1847, dhe sot në Liberi fliten disa gjuhë, me anglishten si gjuhë zyrtare.
Shumë liberianë shprehën indinjatën e tyre për komentin e Trumpit ndaj Boakait, duke pasur parasysh komentet e mëhershme të presidentit amerikan për vendet afrikane dhe trashëgiminë koloniale të lënë nga organizatat amerikane në Liberi.
“U ndjeva i fyer sepse vendi ynë është një vend ku flitet anglisht”, tha për CNN Archie Tamel Harris, një aktivist i të rinjve nga Liberia.
“Për të bërë një pyetje të tillë, nuk e shoh si kompliment. Mendoj se presidenti amerikan dhe njerëzit në Perëndim ende na shohin ne afrikanët si njerëz që jetojnë në fshatra dhe që nuk janë të arsimuar”.
Një diplomat liberian, që kërkoi të mbetet anonim, i tha CNN-it se senom që komenti “nuk ishte i përshtatshëm”. Diplomati shtoi se “ishte pak përçmues ndaj një presidenti afrikan që vjen nga një vend ku flitet anglisht”.
Veronica Mente, politikane nga Afrika e Jugut, pyeti në rrjetin X: “Çfarë e pengon [Boakain] të ngrihet dhe të largohet?”.
Zyra e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë mbrojti deklaratën e Trumpit të mërkurën.
“Isha në takim dhe të gjithë ishin thellësisht mirënjohës për kohën dhe përpjekjen e presidentit. Kontinenti afrikan nuk ka pasur kurrë një mik të tillë në Shtëpinë e Bardhë siç e ka me presidentin Trump”, tha në një deklaratë për CNN Massad Boulos, këshilltari i lartë për çështjet afrikane në administratën Trump.