Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal, tashmë është pjesë e elitës së futbollit si në fushë ashtu edhe jashtë saj, me sponsorë që vihen në radhë për ta përfshirë në fushatat e tyre dhe me të famshëm që kënaqen duke u shoqëruar me të. Ai po shijon një verë luksoze dhe ka marrë një dhuratë që vlen më shumë se pesha e saj në ar.
17-vjeçari ka qenë në një turne të shpejtë këtë verë, duke kaluar një pjesë të kohës në ishujt Balearik dhe një pjesë tjetër në Brazil, ku qëndroi për një javë me idhullin e tij, Neymar Junior. Së fundmi, ai ka publikuar foto nga një udhëtim në Shangai, Kinë, ku mori pjesë në një aktivitet promocional të Adidas, ndërsa duket se ndalesa e tij e fundit para rikthimit në Barcelonë do të jetë New York-u.
Sipas BeIN Sports, përmes Mundo Deportivo, Lamine Yamal ka marrë dhuratë një gjerdan të mbuluar me diamante dhe gurë të tjerë të çmuar. Gjerdani i stolisur mban inicialet e Lamine Yamal dhe thuhet se ka një vlerë prej 400 mijë dollarësh (342 mijë euro). Ai iu dhurua nga këngëtari dominikan “El Alfa”, i cili e publikoi dhuratën me mbishkrimin: “Pjesa më e mirë për futbollistin më të mirë në botë.”
Ky gjerdan u dizajnua nga Victor Rodriguez, themeluesi i Tajia Diamonds në New York, një prej argjendarive më të njohura në botë.