Jamal Musiala ka folur për herë të parë pas lëndimit të tmerrshëm që e pësoi në Botërorin e Klubeve.
Ylli i ri i Bayern Munichut nuk deshi ta akuzonte askënd për atë që ndodhi në çerekfinale kundër Paris Saint-Germainit.
Në mënyrë indirekte, sulmuesi gjerman iu referua Gianluigi Donnarummas, i cili pa dashje ia shkaktoi lëndimin e frikshëm futbollistit ofanziv në nyjën e këmbës, shkruan “Gazeta Express”.
“Dua t’ju them faleminderit për mbështetjen të gjithëve, kjo ka domethënie dhe vlerë të madhe për mua. Është e bukur ta shohësh se si bota e futbollit bëhet bashkë për këto gjëra në një periudhë si kjo. E vlerësoj shumë. Operimi shkoi mjaft mirë dhe jam në gjendje të mirë. Ndër të tjera, më duhet ta them se nuk e akuzoj askënd për këtë, raste si këto ndodhin. Tash do ta shfrytëzoj kohën e ardhshme për ta rikthyer forcën time. Mezi pres t’ju shoh përsëri”, deklaroi futbollisti i Bayern Munichut.
Të kujtojmë se lojtari duhet të qëndrojë jashtë fushave të blerta për së paku katër apo pesë muaj shkaku i thyerjes që e pësoi në nyjën e këmbës dhe të zgjatjes së ligamenteve në nyjën e këmbës.
Në sezonin e fundit, Musiala i ka zhvilluar 44 ndeshje, përfshirë këtu edhe Botërorin e Klubeve, ndërsa i ka shënuar 21 gola dhe i ka bërë 5 asistime.
Ky njëherësh ishte sezoni i tij më i mirë në karrierë, ndërsa pritet të rritet edhe më shumë në karrierë. /Gazeta Express