Kosovare Asllani po vazhdon të shkëlqejë në fanellën e Kombëtares së Suedisë.
Futbollistja kosovare i drejtoi skandinavet drejt fitores së radhës ndaj Polonisë me rezultat 3:0 për ta siguruar kështu kualifikimin në çerekfinale të Kampionatit Evropian.
35-vjeçarja ishte protagoniste në ndeshjen e zhvilluar në Luzern të Zvicrës duke e shënuar një gol dhe duke asistuar në një tjetër.
E krahas paraqitjes solide ndaj polakeve, ajo vjeçarja regjistroi rekorde të reja në ndeshjen e mbrëmshme, shkruan “Gazeta Express”.
Kosovarja u bë futbollistja e parë e Kombëtares suedeze që shënon gola në katër Kampionate Evropiane.
Paraprakisht kishte realizuar edhe në Evropianët 2009, 2013 e 2022.
Gjithashtu, Asllani me 35 vjet e 344 ditë bëhet lojtarja më e vjetër që ka shënuar gol për Suedinë në një Kampionat Evropian.
Ndër të tjera, rekordi i saj i tretë mbrëmë ishte se ajo u bë lojtarja e parë e Suedisë që i zhvillon 20 ndeshje në fazën finale të Kampionateve Evropiane.
“Është ndjenjë e veçantë, por për momentin po mendoj vetëm për fitoren. Tani duhet të pushojmë, të rikuperohemi dhe të fokusohemi për ndeshjen e së shtunës. Por, gjithmonë është e veçantë ta shkruash historinë”, deklaroi Asllani për uebfaqen zyrtare të UEFA-s.
Ajo e zhvilloi mbrëmë ndeshjen e 201-të në fanellën e Suedisë, ndërsa në këtë periudhë i ka shënuar 49 gola.
Suedia do të përballet të shtunën ndaj Gjermanisë në përballjen direkt për pozitën e parë në grup. /Gazeta Express