Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në nisje të mbledhjes së Qeverisë, i ka shprehur ngushëllime familjes Zejnullahu për vdekjen e 27 vjeçarit Agon Zejnullahu pak pas arrestimit.
Ai ka thënë se nuk do të ketë strehë për askënd që tejkalon kompetencat apo shkelë ligjin gjatë detyrës zyrtare.
“Fillimisht dua t’i shpreh ngushëllime familjes Zejnullahu për më të dashurin e tyre, të ndjerin Agon Zejnullahu. Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve. Shumëçka prej asaj që ka ndodhur në mesnatën e 7 korrikut tashmë është publike dhe falë incizimeve të dëshmitarëve, por për të kuptuar gjithçka se çfarë ka ndodhur duhet hetim profesional nga institucionet. Për këtë bashkëpunimi ndërmjet Policisë, IPK, IML dhe prokurorisë është thelbësor. Pesë zyrtarë policorë tanimë janë në paraburgim. Unë kërkoj dhe pres hetim të thellë e sa më të shpejt që zbardhë të vërtetën e plotë dhe i bën të njohura të gjitha rrethanat ashtu që të vendoset drejtësia dhe të arrihet llogaridhënia. Dua të bëjë të qartë se nuk do të ketë strehë në institucione apo nga institucionet për këdo që mund të ketë tejkaluar kompetencat apo të ketë shkelur ligjin gjatë detyrës zyrtare. Shërbimi në uniformë është fisnikëri por autoriteti i veshur me uniformë është përgjegjësi”, tha ai. /GazetaExpress/