Një aksident është regjistruar pasditen e sotme, rreth orës 17:00, në zonën bregdetare të Ksamilit.
Dy turistë francezë janë përfshirë në një përplasje mes dy mjeteve lundruese (jet ski).
Sipas informacioneve zyrtare, dy vëllezër francezë 25 dhe 22 vjeç, po lundronin jashtë zonës së sigurisë, kur 25-vjeçari dyshohet se humbi kontrollin mbi mjetin e tij lundrues, duke u përplasur me jet ski-n e vëllait.
Si pasojë e përplasjes, 22-vjeçari është rrëzuar në ujë dhe ka pësuar dëmtime.
NJOFTIMI:
Sot, rreth orës 17:00, në zonën e Ksamilit, duke lundruar jashtë zonës së sigurisë, dy vëllezër, shtetas francezë, A. I., 25 vjeç dhe I. I., 22 vjeç, dyshohet se, gjatë lëvizjes me jet ski pranë njëri-tjetrit, 25-vjeçari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues, duke u përplasur me mjetin lundrues të vëllait të tij, i cili është rrëzuar në ujë dhe ka pësuar dëmtime.
Pas ndihmës së parë të dhënë nga Njësia Policore Detare Sarandë, 22-vjeçari I. I. është transportuar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga ana e Policisë Kufitare Sarandë është bërë bllokimi i dy mjeteve lundruese (jet ski) dhe do të kryhen verifikimet për shkeljet e konstatuara dhe në vijim do të merren masat administrative përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, ndaj dy pronarëve të këtyre mjeteve.
Ndërkohë, grupi hetimor në Komisariatin e Policisë Sarandë po kryen veprimet procedurale dhe hetimore, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.