Emisari i BE'së Sorensen, në vizitën e parë në SHBA, i bën bashkë ambasadorët e Kosovës dhe Serbisë në Uashington - Gazeta Express
string(110) "emisari-i-bese-sorensen-ne-viziten-e-pare-ne-shba-i-ben-bashke-ambasadoret-e-kosoves-dhe-serbise-ne-uashington"

Lajme

Gazeta Express

08/07/2025 16:52

Emisari i BE’së Sorensen, në vizitën e parë në SHBA, i bën bashkë ambasadorët e Kosovës dhe Serbisë në Uashington

Lajme

Gazeta Express

08/07/2025 16:52

Danezi Peter Sorensen, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka bërë vizitën e tij të parë zyrtare në SHBA që nga marrja e postit në shkurt të këtij viti. Nuk ka ndonjë njoftim rreth takimeve të tij eventuale me Administratën e Trump, por Sorensen ka ushtruar atje diçka nga detyra e tij si ndërmjetës.

Atje, ai i bëri bashkë ambasadorin e Kosovës, Ilir Dugolli dhe atë të Serbisë Dragan Sutanovac, si dhe ambasadorët e tjerë të Ballkanit Perëndimor në ambasadën e BE-së në SHBA, të cilët bashkë u pritën nga e BE-së atje, Jovita Neliupšienė.

Kjo e fundit njoftoi se në këtë takim u diskutua për sigurinë, stabilitetin dhe për zgjerimin e rajonit, raporton Gazeta Express.

“Kënaqësi të mirëpres Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë Sorensen gjatë vizitës së tij të parë në SHBA në këtë pozitë. Krahas ambasadorëve nga Ballkani Perëndimor, në agjendë ishin siguria, stabiliteti dhe zgjerimi. Uniteti është çelësi për të ecur përpara”, ka thënë ambasadorja Neliupšienė.

SHBA ka qenë në vazhdimësi mbështetëse dhe ka pasë rol kyç në dialogun Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga BE që nga viti 2011.

Që nga marrja e pozitës në shkurt, Sorensen kishte njoftuar disa takime informuese e përgatitore, por deri më tani asnjë takim s’e ka pasë me zyrtarë amerikanë , të cilët në vitet e kaluara kanë qenë mbështetës të dialogut të lehtësuar nga BE për shkak të rolit kyç që SHBA ka në Kosovë e Serbi.

Me gjithë zhvillimet që po ndodhin në mes të partnerëve BE-SHBA dhe çarjet e tyre në çështjen e Ukrainës ende s’është e qartë nëse Sorensen do të ketë të njëjtin bashkëpunim që pati Lajçak me kolegët e tij amerikanë gjatë Administratës Biden.

Një porosi për marrëdhënie të mira me amerikanët ia kishte lënë Sorensenit paraardhësi i tij, Miroslav Lajçak, gjatë mandatit të së cilit, zyrtarë të Administratës Biden ishin goxha të përfshirë.

“Është e rëndësishme të vendosen kontakte në nivelet e BE-së dhe SHBA-së sa më shpejt të jetë e mundur dhe të arrihet një marrëveshje për një qasje të përbashkët ndaj Ballkanit Perëndimor, ku BE-ja duhet të udhëheqë, për arsye objektive, por të jetë në gjendje të mbështetet në mbështetjen dhe mirëkuptimin e Amerikës”, kishte thënë Lajçak.

Po ashtu, një porosi të ngjashme Sorensenit ia kishte dhënë në Kosovë kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, i cili e kishte pritur në takim europianin.

“Në takim çmova rolin e tij dhe të BE-së dhe po ashtu theksova rëndësinë e partneritetit BE-ShBA për sukseset në Kosovë dhe regjion”.