Shtypje sistematike e grave: Liderët Talibanë përballë drejtësisë ndërkombëtare, GJNP lëshon dy urdhër-arreste - Gazeta Express
string(111) "lideret-talibane-perballe-drejtesise-nderkombetare-gjnp-leshon-urdher-arreste-per-shtypjen-sistematike-te-grave"

Lajme

Gazeta Express

08/07/2025 16:09

Shtypje sistematike e grave: Liderët Talibanë përballë drejtësisë ndërkombëtare, GJNP lëshon dy urdhër-arreste

Lajme

Gazeta Express

08/07/2025 16:09

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar të martën urdhër-arreste për dy udhëheqës të Talibanëve në Afganistan, përfshirë udhëheqësin suprem shpirtëror Haibatullah Akhundzada, duke i akuzuar për persekutim të grave dhe vajzave.

Reuters raporton se sipas GJNP-së, ka arsye të mjaftueshme për të besuar se Akhundzada dhe Abdul Hakim Haqqani, kryegjyqtari i Talibanëve, kanë kryer krime kundër njerëzimit përmes përndjekjes mbi baza gjinore ndaj vajzave, grave dhe personave të tjerë që nuk përputhen me politikat e Talibanëve mbi gjininë, identitetin gjinor apo shprehjen e saj.

Bëhet e ditur se Gjykata ka vlerësuar se veprimet e udhëheqësve të lartë talibanë përbëjnë një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të kryera në mënyrë të qëllimshme dhe sistematike, si pjesë e një politike shtetërore që synon shtypjen e plotë të grave dhe vajzave në shoqërinë afgane.

Kujtojmë se pas rikthimit në pushtet në gusht 2021, autoritetet talibane premtuan një qeverisje më të butë krahasuar me periudhën e parë të sundimit të tyre (1996–2001). Por shumë shpejt, ato vendosën kufizime ndaj grave dhe vajzave, të cilat Kombet e Bashkuara i kanë cilësuar si “apartheid gjinor”.

Urdhrat e nxjerrë në përputhje me interpretimin e tyre të ligjit islam, të miratuar nga udhëheqësi suprem Haibatullah Akhundzada – i cili sundon me dekrete nga Kandahari në jug – kanë përjashtuar gradualisht gratë dhe vajzat nga jeta publike.

Fillimisht vajzave u është ndaluar shkolla e mesme dhe universiteti, duke e bërë Afganistanin të vetmin vend në botë që ka ndalime të tilla.

Më pas autoritetet vendosën kufizime ndaj grave që punonin në organizata joqeveritare dhe sektorë të tjerë, duke bërë që mijëra gra të humbnin punët në institucione shtetërore – ose të paguheshin për të qëndruar në shtëpi.

Në një vendim tjetër, u mbyllën sallonet e bukurisë dhe gratë u ndaluan të frekuentonin parqe publike, palestra dhe banja, si dhe nuk lejohen të udhëtojnë në distanca të gjata pa një shoqërues mashkull.

Një ligj mbi virtytin dhe vesin, i shpallur verën e kaluar, ndaloi gratë të këndojnë apo të recitojnë poezi në publik dhe kërkonte që zëri dhe trupi i tyre të “fsheheshin” jashtë shtëpisë.

Gratë e vetme që shfaqen ende në televizion mbajnë shami të ngushta dhe maska fytyre, në përputhje me një urdhër të Akhundzadës të vitit 2022 që kërkon që gratë të mbulohen plotësisht në publik, idealisht me burka tradicionale.

Së fundmi, grave u është ndaluar edhe ndjekja e instituteve shëndetësore, që ofronin kurse për mamitë dhe infermieret – vende ku shumë gra ishin drejtuar pas ndalimit të arsimit universitar.