Një burrë ka vdekur në aeroportin e Bergamos – Orio al Serio në Itali, pasi është thithur nga motori i një aeroplani që në atë moment po përgatitej për ngritje, raporton Corriere della Sera.
Ai thuhet se hyri me forcë në pistë duke vrapuar drejt aeroplanit që ishte në fazën e lëvizjes drejt nisjes.
Sipas asaj që raportojnë mediat italine, burri kishte nisur veprimet e tij jashtë aeroportit. Ai e ka braktisur veturën dhe ka nisur të vrapojë drejt brendësisë së aeroportit. Pasi e ka kaluar zonën e mbërritjeve – që ndodhet në katin përdhe – e ka hapur një derë sigurie që çon direkt në zonën e parkimit të aeroplanëve. Mendohet të jetë një burrë rreth 35 vjeç.
Aeroplani i përfshirë, një Airbus A319 i kompanisë Volotea, kishte destinacion aeroportin e Asturias në Santiago del Monte të Spanjës. Aeroplani ishte duke përfunduar manovrën e ashtuquajtur “pushback” – lëvizjen për t’u larguar nga vendqëndrimi.
Fluturimet në një nga aeroportet më të ngarkuara të Italisë u pezulluan nga ora 10:20 deri rreth orës 12:00, siç konfirmon Sacbo – kompania që menaxhon aeroportin – në një komunikatë. Kompania flet për një “incident të ndodhur në pistën e rrotullimit, shkaqet e të cilit janë ende nën hetim nga forcat e rendit”.