Ndërkohë që tensionet ndërkombëtare në Detin e Kuq vazhdojnë, Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka thirrur ambasadorin kinez në Berlin, duke raportuar se ushtria kineze kishte përdorur një pajisje me rreze lazer për të shënjestruar një avion gjerman që po merrte pjesë në operacionin e BE-së, Aspides, i cili ka për qëllim mbrojtjen e transportit detar në këtë zonë strategjike.
“Nëpërkëmbja e sigurisë së personelit gjerman dhe pengimi i operacionit janë plotësisht të papranueshme,” ka shkruar ministria e Jashtme gjermane në X, duke bërë të ditur se ka thirrur ambasadorin kinez për sqarim.
Deri më tani, sipas Reuters, as ministria e Jashtme gjermane, as ambasada kineze, dhe as komanda e operacionit Aspides nuk kanë dhënë ndonjë koment për mediat lidhur me këtë incident.
Kujtojmë se, zyrtarët evropianë kanë shprehur vazhdimisht shqetësime për ndikimin e Kinës mbi infrastrukturën kritike, përfshirë edhe rrugët detare të rëndësishme tregtare.
Ndërkohë, dihet se operacioni Aspides, që rrjedh nga fjala greke e lashtë për “mburojat”, u krijua nga Bashkimi Evropian si një mision mbrojtës për të garantuar sigurinë e lundrimit në krizën që ka përfshirë Detin e Kuq.