Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Rama po e akuzon Qeverinë e Kosovës si bllokuese të buxhetit të Komunës të Prishtinë.
Por, Murati thotë se kjo nuk qëndron – madje i thotë Ramës t’i kërkojë LDK-së që të votojë për konstituim e Kuvendit të Kosovës.
“Përparim Rama përsëri paska rrejtë kur ka akuzu Qeverinë si bllokuese të buxhetit të Komunës së Prishtinës Cila është e vërteta? Buxheti komunal duhet të miratohet nga asambleja komunale më së voni deri me 30 shtator ashtu që pastaj të mund të bëhet pjesë e Ligjit të Buxhetit, i cili nga Qeveria dërgohet në Kuvend më së voni me 31 tetor”.
“Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë buxhetin as me 30 shtator, e madje as me 31 tetor. Përparim Rama, përkatësisht asambleja e Komunës së Prishtinës ka miratur projekt-buxhetin komunal me 9 dhjetor, pra pas të gjitha afateve ligjore. Kjo vonesë nënkupton që për të hyrë në fuqi projekt-buxheti komunal, nevojitet një ndryshim/plotësim i Ligjit të Buxhetit nga ana e Kuvendit. Siç e dini, Kuvendi tash e sa muaj po mbahet i bllokuar nga opozita që po e shkel Kushtetutën duke mos votuar”.
“Tek pasi të konstituohet Kuvendi, e të zgjedhet Qeveria e Re, mund të inicohet plotësim/ndryshimi i Ligjit të Buxhetit për ta përfshirë edhe projekt-buxhetin e Komunës së Prishtinës. Sa plason akuza të pavërteta, Përparim Rama e ka shumë më të lehtë që t’i kërkojë partisë së tij, LDK-së, që të kryejë obligimin kushtetues e të votojë për konstituim të Kuvendit, ashtu që pastaj të mundësohet edhe plotësimi i Ligjit të Buxhetit me buxhetin e Komunës së Prishtinës”, ka shkruar Murati në Facebook. /Gazeta Express
NJOFTIM PËR TË GJITHË KREDITORËT DHE PRONARËT E NDËRMARRJEVE TË VENDOSURA NË PROCESIN E LIKUIDIMIT NGA AGJENCIA KOSOVARE E...