Shtetet e Bashkuara do të shpallin disa masa të reja tregtare brenda 48 orëve të ardhshme, ka deklaruar Sekretari i Thesarit, Scott Bessent.
“Shumë vende po ndryshojnë qasje në negociata. Mbrëmë kutia ime postare ishte plot me oferta dhe propozime të reja,” ka thënë Bessent për CNBC.
Sipas The Guardian, kjo deklaratë vjen mes paqartësive për kohën kur do të hyjnë në fuqi tarifat e reja të shpallura nga administrata. Kujtojmë se Donald Trump deklaroi se dërgimi i “letrave tarifore” do të niste sot, por sipas njoftimeve të fundit, këto tarifa do të hyjnë në fuqi më 1 gusht dhe jo më 9 korrik, siç ishte planifikuar fillimisht.
Ndërkohë, sipas Bessent, këto letra nuk do të jenë domosdoshmërisht ultimatume, por më shumë një ftesë për dialog:
“Është thjesht: ‘faleminderit që dëshironi të tregtoni me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju mirëpresim si partner tregtar, dhe ja norma, përveç nëse dëshironi të ktheheni për të negociuar,” ka thënë Bessent.
Ai nuk ka pranuar të komentojë mbi negociatat për pronësinë e re të aplikacionit TikTok, të cilat Trump tha se do të nisin këtë javë, por ka konfirmuar se do të takohet me homologun e tij kinez në javët e ardhshme, duke thënë:
“Mendoj se ka gjëra që mund t’i bëjmë së bashku nëse Kina është e interesuar. Do të diskutojmë nëse mund të kalojmë përtej tregtisë në fusha të tjera.”
NJOFTIM PËR TË GJITHË KREDITORËT DHE PRONARËT E NDËRMARRJEVE TË VENDOSURA NË PROCESIN E LIKUIDIMIT NGA AGJENCIA KOSOVARE E...