Vdekja e 27 vjeçarit në Lipjan pas arrestimit, Policia thotë se ndërhyri për ta vënë situatën në kontroll: Po sulmonte vetura e kalimtarë - Gazeta Express
string(135) "vdekja-e-27-vjecarit-ne-lipjan-pas-arrestimit-policia-thote-se-nderhyri-per-ta-vene-situaten-ne-kontroll-po-sulmonte-vetura-e-kalimtare"

Lajme

Gazeta Express

07/07/2025 14:27

Vdekja e 27 vjeçarit në Lipjan pas arrestimit, Policia thotë se ndërhyri për ta vënë situatën në kontroll: Po sulmonte vetura e kalimtarë

Lajme

Gazeta Express

07/07/2025 14:27

Qytetari Agon Zejnullahu ka vdekur në orët e para të së hënës pak pasi u arrestua.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, tha për Express se i ndjeri ishte arrestuar pas informacioneve se në gjendje të dehur po sulmonte kalimtarë dhe automjete.

Ai ka shtuar se ekipi mjekësor i ka dhënë ndihmën e parë, por ka rezultuar pa sukses.

“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore dhe Prokurori për Krime të Rënda. Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Aktualisht policia po vijon hetimet  për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha ai.

Express ka dërguar pyetje edhe në adresë të IPK’së për të parë nëse kanë nisur hetimet ndaj zyrtarëve të përfshirë në arrestimin e të ndjerit, por deri tani s’kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë janë publikuar edhe fotografi të të ndjerit dhe pamje të arrestimit të tij.

Për vdekjen e Zejnullahut, ngushëllime kanë shprehur nga Komuna e Lipjanit.

“Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, në emër të institucioneve komunale, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Agon Zejnullahut nga fshati Banullë.E nderuar familje Zejnullahu: Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e parakohshme të më të dashurit tuaj Agon Zejnullahut, Kjo ngjarje e rëndë ka prekur thellë jo vetëm familjen tuaj, por edhe gjithë qytetarët e Komunës së Lipjanit.Në këto momente të dhimbshme, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zejnullahu, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin Agonin.”