Milani nuk ka qenë kurrë më afër transferimit të Ardon Jasharit.
“Rossoneri” e kanë përmirësuar ofertën e tyre për ta bindur Club Bruggen që t’ia lëshojë yllin e tij kryesor.
Edhe vetë futbollisti shqiptar e ka shfaqur dëshirën për t’iu bashkuar Kuqezinjve pasi shkëlqeu një vit në kampionatin belg, ku u zgjodh lojtari i vitit.
Për këtë është i sigurt mediumi italian “La Gazzetta Dello Sport”, përcjell “Gazeta Express”.
Për momentin ekziston një diferencë e vogël mes palëve, por Milani beson se e ka vlerësuar drejt lojtarin me një ofertë që lëviz mes 30 dhe 35 milionë euro.
Klubi belg vazhdon t’i kërkojë 40 milionë euro, por do të zbriste në 35 milionë plus bonuset.
Thuhet se përfaqësuesi zviceran nuk i është bashkuar ekipit në përgatitjet para-sezonale.
Dhe, ky është një sinjal i fortë që lojtari s’do të jetë më pjesë e planeve të ekipit dhe se do të shitet.
Tash Milani është në pritje të një përgjigjeje përfundimtare, veçanërisht pasi nuk do të bëjë asnjë ofertë tjetër shtesë.
O e pranojnë, o e humbin – dhe në ditët e para të kësaj jave, marrëveshja mund të mbyllet përfundimisht.
Interesim për yllin shqiptar krahas Milanit kanë shfaqur edhe Borussia Dortmund, Manchester United, Manchester City, Paris Saint-Germain e Bayer Leverkusen.
Mirëpo, prioritet total i 22 vjeçarit është klubi Kuqezi. Tash, topi është tek Club Brugge, i cili e mban kartonin e futbollistit.
Në sezonin 2024/25, futbollisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut i ka zhvilluar 52 ndeshje dhe i ka shënuar 4 gola dhe i ka bërë 6 asistime me ekipin belg.
Vlera në treg e kartonit të Jasharit është 32 milionë euro, sipas faqes së specializuar për vlerësimin e futbollistëve – Transfermarkt.
Jashari ishte transferuar në Club Brugge vitin e kaluar nga Luzerni për 6 milionë euro dhe kishte nënshkruar me klubin belg deri në qershor të vitit 2029.
Jashari është sot njëri prej futbollistëve më të mirë shqiptarë. /Gazeta Express