Deputetja më e re në moshë në Kuvendin e Kosovës, Sala Jashari (PDK) i ka reaguar deputetit më të moshuar Avni Dehari – të dytë udhëheqin seancën konstituive, duke i thënë se kanë refuzuar të bëhen pjesë e një manipulimi procedural.
Avni Dehari përmes një postimi në Facebook të dielën ka insistuar sërish në votim të fshehtë.
Por, Jashari thotë se Lëvizja Vetëvendosje po e interpreton aktgjykimin sipas dëshirës.
“Interpretimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje është bërë “sipas dëshirës”, pra në atë mënyrë që atyre iu konvenon. Z. Dehari pretendon se duke mos votuar për komisionin për votim të fshehtë, deputetët kanë refuzuar një të drejtë të garantuar nga Gjykata Kushtetuese, por ky është thjeshtë një shtrembërim i kuptimit të aktgjykimit dhe i të drejtës parlamentare”.
“Ne nuk kemi refuzuar asgjë, thjeshtë nuk jemi bërë pjesë e një manipulimi procedurial që synon të fshehë mungesën e legjitimitetit. Mënyra e trajtimit të seancës konstituive që nga fillimi nga ana e kryesuesit ka qenë partiake dhe selektive, gjithashtu edhe në kundërshtim me parimin e neutralitetit institucional që duhet të ketë një kryesues i përkohshëm. Si deputetja më e re mund të them se nuk mund të përdoret Kushtetutën si justifikim për ta tejkaluar vullnetin politik të shumicës së deputetëve që nuk e mbështesin imponimin e një mënyre votimi, e cila nuk është produkt konsensusi, por dëshirë e një subjekti të vetëm”, ka shkruar Jashari. /Gazeta Express.