Policia franceze ka filluar përdorimin në mënyrë sekrete të jet-skive për të vendosur rrjeta në det me qëllim ndalimin e varkave të emigrantëve që tentojnë të kalojnë drejt Britanisë.
Taktika e re përfshin vendosjen e rrjetave që bllokojnë helikën e gomones, duke e ndalur atë në mënyrë të sigurt në ujëra të cekëta. Kjo ishte pjesë e një prove, gjatë së cilës policët hynë gjithashtu në ujë për të shpuar një gomone me thikë të premten, shkruan The Sun.
Këto veprime vijnë përpara vizitës shtetërore të presidentit francez Emmanuel Macron këtë javë në Britani.
Ai pritet të njoftojë strategji të reja që do t’u mundësojnë forcave të rendit të ndërhyjnë në ujëra të cekëta për të ndalur varkat.
Masat pritet të hyjnë në zbatim brenda pak javësh dhe më pas të bëhen pjesë e aktivitetit të përditshëm të oficerëve francezë.
Ministrja britanike e Brendshme, Yvette Cooper, deklaroi: “Gjatë muajve të fundit, kemi punuar së bashku për mënyra të reja për të goditur rrjetet kriminale që organizojnë kalimet, dhe tashmë pala franceze po përdor taktika të rëndësishme për të ndalur varkat që ndodhen në ujë.”
“Duhet të mos ndalemi para asgjëje për të forcuar sigurinë e kufijve tanë.”
Konservatorët britanikë kishin planifikuar përdorimin e jet-skive që në vitin 2021, por ideja për të ndaluar varkat në ujërat britanike dhe për t’i kthyer pas në Francë u konsiderua shumë e rrezikshme.
Në vitet e kaluara janë diskutuar edhe ide më të pazakonta, si makineri për krijimin e dallgëve, një “mur” lundrues në Kanalin e La Manshit. Ndërkohë, Cooper po shqyrton edhe masa kundër punës së paligjshme, pasi pala franceze ka fajësuar ekonominë informale britanike si një nga arsyet kryesore që tërheq emigrantët.
Presioni është rritur pasi numri i personave që kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla këtë vit ka kaluar 20,000, pavarësisht 500 milionë paundëve të dhëna Francës për të frenuar kalimet. Edhe pse metodat e reja franceze janë më të ashpra, varkat kanë vazhduar të nisen drejt Doverit këtë javë.
Një marrëveshje për kthimin e emigrantëve në Francë, përmes një skeme “një për një”, është ende në diskutim disa ditë para se Macron të mbërrijë në Britani.
Sipas saj, emigrantët që kalojnë Kanalin mund të rikthehen në Francë dhe të shkëmbehen me azilkërkues që kanë lidhje familjare në Mbretërinë e Bashkuar.