Afati 90-ditor i vendosur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për vendet që duan të arrijnë marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara ose të përballen me tarifa ndjeshëm më të larta, po afron me shpejtësi.
Çfarë do të ndodhë pas orës 12:01 të mëngjesit më 9 korrik (me orën e SHBA-së), mbetet ende e paqartë.
Më 2 prill, një ditë që Trump e quajti “Dita e Çlirimit”, ai shpalli norma të reja tarifore “reciproke” për partnerët kryesorë tregtarë të SHBA-së, me disa tarifa që arrinin deri në 50%. Këto tarifa përbënin rritjen më të madhe të taksave mbi mallrat e huaja në më shumë se një shekull. Ekonomistët paralajmëruan menjëherë për rrezikun e një recesioni global, shkruan CNN.
Kur tarifat hynë në fuqi më 9 prill, ato shkaktuan një rënie të fortë në Ëall Street dhe në tregun e obligacioneve, duke detyruar Trump të shpallte një pauzë tre-mujore për t’u dhënë vendeve kohë për të përfunduar marrëveshje me SHBA-në.
Gjatë kësaj periudhe, pothuajse të gjitha mallrat që importohen në SHBA kanë qenë subjekt i një tarife minimale prej 10%.
Megjithatë, tregjet financiare janë rimëkëmbur dhe kanë arritur rekorde të reja, ndërsa inflacioni ka mbetur i qëndrueshëm. Por nëse tarifat rriten sërish dhe inflacioni kthehet në rritje, këto fitime mund të fshihen shpejt.
Pas muajsh negociatash me zyrtarë të huaj dhe deklaratave të shpeshta për marrëveshje të afërta, vetëm tre marrëveshje janë shpallur zyrtarisht.
Njëra prej tyre, me Vietnamin, ende nuk është finalizuar dhe detajet janë të pakta. Megjithatë, administrata Trump ka sinjalizuar se priten marrëveshje të tjera së shpejti, ndërsa paralajmëron dërgimin e letrave zyrtare për vendet që nuk nënshkruajnë, duke u bërë të ditur tarifat që do të paguajnë për eksportet e tyre drejt SHBA-së.
Përpara afatit të 9 korrikut, zyrtarët e administratës kanë sugjeruar rikthimin e tarifave të prillit, ose madje vendosjen e niveleve më të larta. Gjithashtu është përmendur mundësia e një zgjatjeje për vendet që po “negociojnë me mirëbesim”, pa u përcaktuar se cilat vende përfshihen në këtë kategori.
Nuk është ende e qartë se cili është qëndrimi përfundimtar i Trump.
“Ne mund të bëjmë çfarë të duam. Mund ta zgjasim, mund ta shkurtojmë,” tha ai kohët e fundit. “Unë do të preferoja ta shkurtoja. Do të doja thjesht t’i dërgoja letra të gjithëve: ‘Urime, po paguani 25%’.”
Ai shtoi gjithashtu: “Do të shikojmë si na trajton një vend, mirë apo jo aq mirë, për disa nuk na intereson, thjesht do t’u dërgojmë një shifër të lartë.”
Të premten, Trump tha se do të nisë dërgimin e letrave gjatë ditëve në vijim.
“Ato do të variojnë nga 10% dhe 20% deri në 60% apo 70% tarifa,” deklaroi ai.
Për shumë vende, këto nivele tarifore do të përbëjnë një goditje më të madhe ekonomike sesa tarifat e shpallura në prill. Por, ato mund të kenë ende mundësi për të negociuar, pasi Trump theksoi se shumica e normave të reja nuk do të hyjnë në fuqi deri më 1 gusht.
Marrëveshja e fundit e njoftuar me Vietnamin, që përfshin tarifa minimale prej 20% për mallrat vietnameze, dyfishi i tarifave gjatë periudhës së pauzës, ka ngritur pikëpyetje nëse vendet mund të arrijnë norma më të ulëta edhe nëse arrijnë marrëveshje me SHBA-në.
Megjithatë, duke pasur parasysh që tarifat ndaj Vietnamit do të ngriheshin në minimumin 46% sipas tarifave të prillit, 20% tani shihet si një lloj “lehtësimi”.
Kjo mund të jetë një strategji e qëllimshme nga ana e Trump, që i lejon atij të qëndrojë besnik ndaj premtimit të fushatës për vendosjen e tarifave më të larta për të rritur të ardhurat dhe për të rikthyer vendet e punës në prodhim në SHBA.