Sulmet ajrore izraelite vrasin 33 palestinezë në Gazë - Gazeta Express
string(53) "sulmet-ajrore-izraelite-vrasin-33-palestineze-ne-gaze"

Lajme

Gazeta Express

06/07/2025 13:37

Sulmet ajrore izraelite vrasin 33 palestinezë në Gazë

Lajme

Gazeta Express

06/07/2025 13:37

Sulmet ajrore izraelite i kanë vrarë të paktën 33 palestinezë në Gazë, thanë zyrtarët shëndetësorë të dielën, ndërsa ushtria izraelite njoftoi se ka goditur mbi 100 objektiva në enklavën e rrënuar nga lufta.

Sulmet ndodhën ndërsa kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, po përgatitej të udhëtonte drejt Uashingtonit për bisedime në Shtëpinë e Bardhë, me qëllim shtyrjen përpara të përpjekjeve për një armëpushim.

Ndërkohë, një zyrtar izraelit tha se kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi të shtunën mbrëma dërgimin e ndihmave në pjesën veriore të Gazës, ku civilët po vuajnë nga mungesa e theksuar e ushqimit.
Zyrtari nuk dha më shumë hollësi dhe foli në kushte anonimiteti.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka propozuar një plan për një armëpushim fillestar 60-ditor, që do të përfshinte lirimin e pjesshëm të pengjeve të mbajtura nga Hamasi, në këmbim të shtimit të ndihmave humanitare në Gazë.

Marrëveshja e propozuar parashikon edhe bisedime për përfundimin e plotë të luftës 21-mujore.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe fuqitë e tjera.

Izraeli godet dhjetëra objektiva

Sipas drejtorit të Spitalit Shifa, Mohammed Abu Selmia, 20 njerëz u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën pasi Izraeli goditi dy shtëpi në qytetin e Gazës.

Në jug të Gazës, 13 palestinezë u vranë nga sulmet në zonën Muvasi, një rajon pranë Mesdheut ku shumë të zhvendosur jetojnë në tenda, sipas zyrtarëve të Spitalit Nasser në qytetin fqinj Han Junis.

Pesë nga të vrarët ishin anëtarë të së njëjtës familje, sipas spitalit.

Ushtria izraelite nuk i komentoi sulmet individuale, por tha se ka goditur 130 objektiva në të gjithë Rripin e Gazës gjatë 24 orëve të fundit.

Ajo deklaroi se objektivat përfshinin struktura komanduese dhe kontrolluese të Hamasit, depo armësh, raketahedhës dhe se ka vrarë disa militantë në veri të Gazës.

Bisedimet për marrëveshjen për armëpushim

Sulmet ndodhën në një kohë kur përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim duket se kanë fituar vrull.

Zyra e kryeministrit Netanyahu tha se Qeveria izraelite do ta dërgojë një ekip negociator për bisedime të tërthorta në Katar të dielën, duke shtuar se Hamasi po kërkon ndryshime të “papranueshme” në propozim.

Bisedimet e planifikuara në Katar vijnë pak para vizitës së planifikuar të Netanyahut të hënën në Uashington, ku do të takohet me presidentin Trump për të diskutuar marrëveshjen.

Nuk është e qartë nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje para takimit në Shtëpinë e Bardhë.

Hamasi ka kërkuar garanci që armëpushimi fillestar do të çojë në përfundimin e plotë të luftës dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza.

Negociatat e mëparshme janë bllokuar për shkak të kërkesës së Hamasit për garanci që bisedimet do të çojnë në përfundimin e luftës, ndërsa Netanyahu ka këmbëngulur se Izraeli do t’i rinisë luftimet për ta arritur çrrënjosjen e plotë të Hamasit. /REL