Zbulohen detaje të reja në lidhje me laboratorin e sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve zyrtare, operacion i zhvilluar nga strukturat e Antitrafiqeve në Tiranë.
Dy persona, babë e bir, Ylli dhe Pjerin Brahimaj, janë arrestuar në flagrancë, pasi në banesën e tyre në zonën e Tufinës, në rrugën “Myslym Keta”, kishin ndërtuar një dhomë të fshehtë të pajisur me të gjitha mjetet për prodhimin e pasaportave, kartave të identitetit, patentave dhe certifikatave të pronësisë, të gjitha false.
Sipas burimeve nga policia, hyrja në dhomën e fshehtë ishte e maskuar brenda një dollapi rrobash dhe funksiononte përmes një mekanizmi inteligjent: një çelës dritash i zakonshëm dhe një prizë, ku duhej futur një karikues celulari për të aktivizuar hapjen e derës.
Autoritetet shpërthyen derën pasi nuk ishin në dijeni të sistemit. Hetimet zbuluan se Ylli Brahimaj ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, i vendosur nga SPAK për të njëjtat vepra penale.
Megjithatë, ai kishte vijuar aktivitetin kriminal nga brenda banesës.
Në kuadër të hetimeve, është marrë në pyetje edhe një 62-vjeçar, pronar i një studioje grafike jo shumë larg banesës së Brahimajve, i cili dyshohet se bashkëpunonte me ta në përpunimin e fotove dhe formularëve për falsifikim.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi një sasi të madhe dokumentesh false, kryesisht greke, italiane dhe amerikane, si dhe para të dyshuara si të falsifikuara. Zbulimi i këtij laboratori përbën një provë kyçe për hetimet që po zhvillon SPAK ndaj këtij grupi.
Sipas hetimeve, pasaportat e falsifikuara, me shtetësi të huaj, shiteshin nga 15 000 deri në 20 000 euro dhe përdoreshin për të kaluar ilegalisht drejt vendeve të BE-së apo edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.