Dje sërish dështoi konstituimi i kuvendit, nesër përpjekja e radhës - Gazeta Express
string(66) "dje-serish-deshtoi-konstituimi-i-kuvendit-neser-perpjekja-e-radhes"

Lajme

Gazeta Express

06/07/2025 7:33

Dje sërish dështoi konstituimi i kuvendit, nesër përpjekja e radhës

Lajme

Gazeta Express

06/07/2025 7:33

Dje dështoi përpjekja e 42’të për konstituimin e kuvendit. Një përpjekje e tillë do të ndodhë edhe nesër në ora 11:00.

Kështu tha kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, dje pasi komisioni për votim të fshehtë i mori 39 vota.

Mbrëmë vazhdimi i seancës konstituive u mbajt rreth orës 20:00 pas një alarmi të rrejshëm për bombë. Ajo zgjati sërish vetëm pak minuta.

Ky dështim i radhës vjen pavarësisht takimeve të presidentes Vjosa Osmani me partitë parlamentare për të ndihmuar në gjetjen e një rrugëdaljeje dhe paralajmërimeve të saj se do të ketë pasoja juridike nëse nuk bëhet Kuvendi deri më 26 korrik.

Gjykata Kushtetuese e nxori më 26 qershor një aktgjykim i cili i detyron deputetët që brenda 30 ditëve ta konstituojnë Kuvendin, por nuk dha hollësi se çfarë do të ishin pasojat në rast se afati nuk respektohet.

Osmani tha se do t’i drejtohet gjykatës nëse deputetët s’e formojnë institucionin ligjvënës së shpejti.

Seanca e thirrur për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të vazhduar me hapat e tjerë të konstituimit nuk pati sukses, për shkak të mungesës së pajtueshmërisë ndërmjet partive politike rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë për kandidaten për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Prej kohësh, partitë më të mëdha, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë kundërshtuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosjes që Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë, të zgjidhet në krye të Kuvendit.

Ato e kanë cilësuar Haxhiun si “figurë përçarëse” dhe i kanë kërkuar Vetëvendosjes, si fituese e zgjedhjeve, të vijë me një emër tjetër.

Pavarësisht kësaj, Vetëvendosje nuk ka hequr dorë, duke thënë se propozimi i emrit të kryetarit është e drejtë ekskluzive e fituesit të zgjedhjeve dhe se Haxhiu është kandidate meritore.