Skanerët për kontrollin e mallrave, të cilët shteti i Gjermanisë do t’ia japë si donacion Kosovës për t’i vendosur në pikat kufitare me Serbinë, pritet të vonohen. Ambasada gjermane i ka konfirmuar se ata nuk do të mund të vijnë në Kosovë para vitit të ardhshëm. Pajisja me këta skanerë është kusht i Kosovës, që ajo të heq masat kufizuese ndaj hyrjes së mallrave nga Serbia në shumicën e pikave kufitare.
Kusht i Kosovës për lehtësimin e masës për futjen e mallrave serbe edhe përmes pikave kufitare në Bërnjak, Jarinjë, Mutivodë, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë, mbetet pajisja me skanerë me rreze X.
Por, vendimi i qeverisë kosovare i marrë më 7 tetor të 2024-ës duket se do të mbes në fuqi edhe për disa muaj, meqenëse këta skanerë nuk do të vijnë donacion nga Gjermania në Kosovë të paktën deri në vitin e ardhshëm, bëri të ditur Ambasada e gjermane.
Ajo i ka konfirmuar televizionit Dukagjini se procesi i prokurimit është ende në zhvillim e sipër, i cili përshin, sipas saj, përfshin vlerësime të hollësishme për tu siguruar që të identifikohen zgjidhjet më efektive për sfidat specifike në kufi.
“Gjermania mbetet plotësisht e përkushtuar për të mbështetur qeverinë e Kosovës në sigurimin e skanerëve të nevojshëm për vendkalimet kufitare. Për shkak të kompleksitetit teknik të projektit – pasi skanerët me rreze X për transportin e mallrave nuk janë produkte të gatshme, por duhet të montohen pjesë-pjesë –, ky proces kërkon kohë dhe shqyrtim të kujdesshëm. Të gjitha përpjekjet po bëhen në bashkëpunim të ngushtë me GIZ-in, institucionet përkatëse të qeverisë së Kosovës, BE-në dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Duke marrë parasysh kohën e nevojshme për prodhimin dhe dorëzimin e skanerëve, si dhe krizat e shumta në rajone të ndryshme të botës, dorëzimi parashikohet të ndodhë në vitin 2026”, ka njoftuar ambasada e Gjermanisë.
Këtë donacion, Gjermania ia jep Kosovës në bashkëpunim me SHBA-në.
Në lidhje me ardhjen e skanerëve, qeveria nuk është përgjigjur në pyetjet e Dukagjinit që nga dita e enjte.
Për këtë proces nuk ka njohuri ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
“Janë disa në proces, nuk e kam këtë informacion, nëse mund ta pyesni Doganën – ata janë duke e udhëhequr procesin dhe iu njoftojnë”, ka thënë Hekuran Murati, Ministër në detyrë i Financave.
Një njoftim të tillë nuk e dhanë as nga Dogana në pyetjet e televizionit.
Megjithatë, ardhjen e tyre e shohin të domosdoshme njohësit e sigurisë, të cilët vlerësojnë që nuk mund të ketë lehtësim të masave pa përmbushjen e këtij procesi.
“Me vendosjen e këtyre pajisjeve, pra skanerëve, do të jetë e mundur të skanohen çdo mall, duke reduktuar kohën dhe duke qenë më efektiv në identifikimin e gjërave të rrezikshme, pra armë, drogë e kështu me radhë”, ka thënë Armend Halimi, ekspert i sigurisë.
Pika e vetme ku Kosova është duke lejuar hyrjen e mallrave në Kosovë është Merdarja.
Vendimin për kufizimin e hyrjes së mallrave serbe, Qeveria e Kosovës e kishte marrë pasi autoritetet serbe kishin kidnapuar brenda territorit të Kosovës tre policë kosovarë.