Cristiano Ronaldo raportohet se i ka thënë gruas së Diogo Jotës se do të jetë gjithmonë pranë saj dhe familjes, pas vdekjes tragjike të yllit të Liverpoolit.
Sipas mediumit portugez Record, Ronaldo ka kontaktuar Rute Cardoson, si dhe prindërit e Jotës, për t’i siguruar se kanë mbështetjen e tij të plotë në këto momente të vështira, transmeton Gazeta Express.
Po ashtu, thuhet se ai u ka bërë me dije familjarëve se do të qëndrojë larg funeralit të përbashkët të Jotës dhe vëllait të tij, Andre Silva, për të mos larguar vëmendjen nga vetë ceremonia dhe dhimbja e familjes.
Ronaldo ua ka bërë të qartë familjarëve se nuk dëshiron të marrë aspak vëmendje dhe se vëmendja e plotë dëshiron të përqendrohet te nderimi për dy vëllëzërit Diogo e Andre.
Mungesa e Ronaldos në funeralin e dy vëllezërve ka shkaktuar reagime të mëdha në Portugali. Si kapiten dhe lojtari me më së shumti paraqitje në historinë e përfaqësueses, ai pritej të udhëtonte në Gondomar, afër Portos, për të marrë pjesë në homazhet e së premtes dhe meshën e varrimit të së shtunës në mëngjes, përkrah bashkëlojtarëve të kombëtares dhe atyre të Liverpoolit.
Por, 40-vjeçari nuk u paraqit në asnjërën nga ceremonitë. Ndërkohë, një gazetë e njohur nga Majorka raportoi se Ronaldo ndodhej me pushime në ishull, ku ishte parë në dy vende të shtrenjta, në bordin e jahtit të tij luksoz prej 5.5 milionë funte, Azimut Grande 88.