Në qytetin e lindjes së tij, Gondomar, Portugali, sot u mbajt funerali i futbollistit të Liverpoolit dhe përfaqësueses portugeze, Diogo Jota, i cili humbi jetën tragjikisht së bashku me vëllain e tij, André Silva, pas një aksidenti automobilistik mëngjesin e së enjtes.
Vëllezërit udhëtonin me makinë drejt qytetit spanjoll Santander, për të kapur tragetin drejt Anglisë, pasi Jota ishte këshilluar të mos udhëtonte me avion pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në mushkëri.
Ceremonia mortore, e cila filloi me lutjen “Ati Ynë”, u zhvillua në Kishën Parrokiale të Gondomarit dhe u udhëhoq nga Ipeshkvi i Portos, Dom Manuel Linda.
Ai mbajti një homazh prekës, duke iu drejtuar veçanërisht tre fëmijëve të Jotës – Dinis, Mafalda dhe Duarte – dhe nënës së tyre të pikëlluar, Rute Cardoso.
“Është e vështirë të shohësh një të rritur duke qarë, por edhe më e vështirë është të shohësh një fëmijë. Jemi me ju, por edhe Jezusi është me ju,” u shpreh Ipeshkvi.
Rute, bashkëshortja e Jotës, e veshur e gjitha në të bardha dhe duke mbajtur një trëndafil krem, ishte një nga figurat më të prekura gjatë ceremonisë.
Ajo vendosi dorën mbi arkivolin e bashkëshortit të saj, ndërsa të pranishmit u përfshinë nga emocione të thella, në heshtje të plotë.
Vetëm familja dhe miqtë e ngushtë ishin të lejuar brenda kishës, ndërsa për mijëra pjesëmarrës jashtë, shërbesa u transmetua drejtpërdrejt me zë.
Në funeral morën pjesë emra të mëdhenj të futbollit portugez dhe ndërkombëtar. Nga Liverpooli ishin të pranishëm kapiteni Virgil van Dijk, Andy Robertson, Curtis Jones, Wataru Endo, Alexis Mac Allister, Harvey Elliott dhe trajneri Arne Slot. Van Dijk mbante një kurorë me formën e fanellës me numrin 20 – në nder të Jotës – ndërsa Robertson mbante një fanellë të kuqe me numrin 30 për André Silva.
Gjithashtu, ishin të pranishëm ish-lojtarët e Liverpoolit: Jordan Henderson, James Milner, Fabinho dhe Thiago Alcântara. Nga kampi portugez morën pjesë Ruben Dias dhe Bernardo Silva nga Manchester City, si dhe Ruben Neves, i cili udhëtoi me avion privat nga SHBA pas ndeshjes së Al-Hilal në Kupën e Botës për Klube, për të mbajtur arkivolin e mikut të tij të ngushtë. I pranishëm ishte edhe Nelson Semedo, ish-shok skuadre te Wolves.
Pavarësisht raportimeve se ishte parë në Mesdhe, Cristiano Ronaldo nuk ishte i pranishëm në funeral, çka u konfirmua edhe nga Federata Portugeze e Futbollit. Megjithatë, ai shprehu ngushëllimet e tij përmes një postimi prekës në rrjetet sociale:
“S’ka kuptim. Sapo ishim së bashku në Kombëtare, sapo ishe martuar. Ngushëllimet e mia për familjen tënde, gruan dhe fëmijët. Diogo dhe André, do të na mungoni shumë.”
Portieri Alisson Becker nuk mundi të marrë pjesë për shkak të angazhimeve me kombëtaren braziliane, por postoi një homazh prekës në Instagram, duke shkruar:
“Edhe një herë, një oqean më ndan nga një lamtumirë. Por e di që jam përfaqësuar denjësisht nga bashkëlojtarët e mi. Do ta kujtoj Diogon si mik, baba dhe bashkëshort të shkëlqyer.”
Pas meshës që zgjati rreth një orë, arkivolet u shoqëruan drejt varrezave pranë kishës, të rrethuara nga pemë ulliri, ku u prehën përgjithmonë. Në sfond dëgjoheshin tingujt e “Ave Maria”, ndërsa të pranishmit qanin e përqafonin njëri-tjetrin gjatë procesionit.
Turma e madhe jashtë kishës i përshëndeti me duartrokitje, një nderim i heshtur për jetën dhe kujtimin e dy vëllezërve.
Një meshë përkujtimore (messa e shtatë) do të mbahet të mërkurën më 9 korrik, në orën 21:00, në të njëjtën kishë, ku familjarët do të mblidhen për të ndarë kujtime dhe për të lutur për Diogon dhe André.
Liverpool ka njoftuar se do të shlyejë të gjithë kontratën e mbetur të Jotës – rreth dy vite të tjera – në nder të tij dhe për të mbështetur familjen e tij. Klubi gjithashtu ka tërhequr përfundimisht fanellën me numrin 20.
Vdekja tragjike e Diogo Jotës dhe André Silvës ka tronditur jo vetëm komunitetin portugez, por edhe të gjithë botën e futbollit. Mesazhet e ngushëllimeve, lotët dhe homazhet dëshmojnë për respektin e thellë që të dy gëzonin si sportistë dhe si njerëz. Ata do të kujtohen gjithmonë me dashuri dhe krenari./GazetaExpress/
Kreditimi Rural i Kosovës (KRK), është një institucion mikrofinanciar në Kosovë, që do të përfitojë një kredi prej 10...