Endrick, talenti i ri brazilian i Real Madridit, ka nisur bisedime me drejtuesit e lartë të klubit për të sqaruar situatën e tij brenda skuadrës, pasi aktivizimi i tij sezonin e kaluar ishte thuajse simbolik. Ai ka frikë se edhe në sezonin e ardhshëm nuk do të ketë hapësirën e dëshiruar.
Pavarësisht se mbërriti në “Santiago Bernabéu” si një nga premtimet më të mëdha të futbollit botëror, pozita e tij mund të rrezikohet nga shpërthimi i Gonzalo García, i cili ka impresionuar në fazat e para të parasezonit nën drejtimin e Xabi Alonso-s.
Gjatë turit të ekipit në Shtetet e Bashkuara, Endrick vendosi të bashkohej me skuadrën vullnetarisht, për të përshpejtuar integrimin dhe për të treguar përkushtimin e tij, edhe pse është ende në fazë rikuperimi nga një dëmtim. Në këtë kontekst, drejtori ekzekutiv José Ángel Sánchez dhe drejtori sportiv për rekrutime Juni Calafat, zhvilluan një takim me lojtarin për të analizuar situatën dhe për të shqyrtuar skenarë të mundshëm për të ardhmen.
Sipas DefensaCentral, pavarësisht se klubi vazhdon të besojë fort në potencialin e Endrick, një huazim nuk përjashtohet, për t’i dhënë mundësi të zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme dhe të marrë minuta të vlefshme.
Për Endrick, objektivi kryesor është të sigurojë një rol të rëndësishëm në fushë për të bindur trajnerin e ri të Brazilit, Carlo Ancelotti, në prag të Kampionatit Botëror të vitit të ardhshëm.
E gjithë kjo varet nga mënyra se si do të zhvillohet situata e Gonzalo Garcías në ekipin e parë. Nëse ai arrin të konsolidohet si titullar, rruga e Endrick drejt protagonizmit mund të bëhet edhe më e vështirë.
Vendime kyçe pritet të merren në javët në vijim, por një gjë është e qartë: Real Madrid nuk ka asnjë synim ta shesë lojtarin, ndërsa opsioni i huazimit po fiton terren si zgjidhje e përkohshme, që nuk do të pengojë zhvillimin e një prej talenteve më premtues të së ardhmes./GazetaExpress/
Kreditimi Rural i Kosovës (KRK), është një institucion mikrofinanciar në Kosovë, që do të përfitojë një kredi prej 10...