Ditën e djeshme, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, vazhdoi mbajtjen e takimeve me partitë politike lidhur me ngërçin e krijuar në kuvend. Kësisoj, dje, ajo takoi liderët e partive Guxo, Alternativa, ZSP, KDTP, IRDK, SDS, JGS, PREBK, NDS dhe Koalicionit VAKAT, shkruan Gazeta Express.
Në njoftimin e Presidencës, theksohet se Osmani gjatë takimeve ka deklaruar se zbatimi i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është obligim kushtetues dhe ky aktgjykim ka sqaruar se konstituimi i Kuvendit brenda 30 ditësh është detyrim e jo opsion.
Po ashtu, bëhet e ditur se Osmani u ka bërë thirrje këtyre partive që sa më shpejt të gjendet rrugëdalja nga bllokada e krijuar.
‘‘Më tej, Presidentja Osmani ka përsëritur thirrjen ndaj liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të gjendet rrugëdalja për konstituimin e Kuvendit’’, shkruhet pos tjerash në njoftim.
Tutje, theksohet edhe se Osmani ka nënvizuar se mungesa e legjislativit po krijon një vakuum institucional që shkakton erozion të demokracisë dhe dëmton funksionimin e shtetit.
Në fund, ka presidenca u bë e ditur edhe se Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në parlament edhe përgjatë ditëve në vijim. /GazetaExpress