Mosmarrëveshjet politike në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit - Gazeta Express
string(61) "mosmarreveshjet-politike-ne-zgjedhjen-e-kryetarit-te-kuvendit"

Lajme

Gazeta Express

03/07/2025 20:46

Mosmarrëveshjet politike në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit

Lajme

Gazeta Express

03/07/2025 20:46

Shkruan: Kadri Kryeziu

Mosmarrëveshjet politike në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk janë të pazakonta. Për rikujtim, në vitin 2023, Kevin McCarthy është zgjedhur Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, vetëm pas tentimit të 15-të.

Gjykatat, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, nuk mund të bëhen forume ku zgjidhen mosmarrëveshjet politike. Vullneti PRO apo KUNDËR marrëveshjes politike është e drejtë demokratike që nuk mund të imponohet nga askush, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese tenton ta imponojë vullnetin për një marrëveshje të domosdoshme atëherë vetë Gjykata i cenon të drejtat themelore të mbrojtura me Kushtetutë.

Duhet të flasim me gjuhë strikte juridike. Aktualisht në Kosovë nuk ka krizë kushtetuese dhe as nuk ka rrezik për rrënim të rendit kushtetues, siç alarmojnë disa politikanë. Kjo është edhe arsyeja pse aktgjykimi i fundit është i qetë dhe pa tone alarmuese. Thjesht, duhet të mësohemi që në mënyrë institucionale të menaxhojmë edhe situata të sikletshme politike.

Gjendja aktuale është një situatë ku duhet të flasim vetëm me gjuhë strikte juridike, pa tone alarmante politike. Aktualisht në Kosovë nuk ka krizë kushtetuese dhe as nuk ka rrezik për rrënim të rendit kushtetues, siç alarmojnë disa politikanë dhe folës televiziv.

Gjykata Kushtetuese e ka caktuar afatin 30 ditor për konstituim. Pra, me votim të hapur apo të fshehtë, pak ka rëndësi, brenda 30 ditësh, deputetët duhet ta zgjedhin Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit. Por kjo nuk do të thotë që deputetët patjetër duhet të merren vesh për emrin e Kryeparlamentarit. Kushtetuta atyre ua garanton të drejtën të mos merren vesh për emrin e kryeparlamentarit, edhe përkundër presionit të afatit 30 ditor. Nëse Kuvendi dështon të konstituohet brenda afatit 30 ditor, atëherë ballafaqohemi me situatën ku 120 deputetët e zgjedhur, dhe të konfirmuar nga KQZ-ja, kanë dështuar në konstituimin e Kuvendit. Ky moment është një fakt i ri juridik, i paprovuar deri tani në historinë tonë parlamentare. Kaq, asgjë më shumë.

Mundësia për krizë kushtetuese, apo rrënim të rendit kushtetues, lind vetëm nëse Gjykata Kushtetuese nuk vepron në mbrojtje të vendimit të vet. Pra, Gjykata medoemos duhet të na tregojë si do të veprohet në ditën e parë pas skadimit të afatit 30 ditor.

 Dhe, në aspektin teorik, Gjykata ka vetëm dy rrugë të veprimit:

1.           Gjykata vendos që t’ua djegë mandatin 120 deputetëve aktual, për shkak të përgjegjësisë kolektive në dështimin për ta konstituar Kuvendin, sipas afatit të përcaktuar nga Gjykata. Në këtë rast, Gjykata e urdhëron KQZ-në që të zëvendësojë deputetët aktual me të tjerë nga listat garuese të partive politike. Pas zëvendësimit, nis rrjedhja përsëri e afatit 30 ditor.

2.           Gjykata e urdhëron Presidenten e Republikës që të shpallë zgjedhjet e reja, si pasojë e mos përmbushjes së detyrimit kushtetues për ta konstituar Kuvendin, sipas afatit të caktuar nga Gjykata.

Epilogu i këtij procesi do të ketë vlerë për studime të mëvonshme, sepse do të përcaktojë një precedent të vlefshëm kushtetues në praktikën tonë parlamentare.

(autori është Profesor i të Drejtës dhe Gjyqësisë Kushtetuese, hartues i Kushtetutës së Kosovës, si dhe nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese në periudhën 2009-2015)