Shteti i lë pa shtesa fëmijët pa përkujdesje prindërore - Gazeta Express
string(55) "shteti-i-le-pa-shtesa-femijet-pa-perkujdesje-prinderore"

Lajme

Gazeta Express

03/07/2025 14:53

Shteti i lë pa shtesa fëmijët pa përkujdesje prindërore

Lajme

Gazeta Express

03/07/2025 14:53

Në Kosovë, shteti ndan shtesa për fëmijët, por jo për të gjithë. Disa prej më të pambrojturve – fëmijët pa përkujdesje prindërore – janë lënë jashtë kësaj skeme. Pse?

Që nga viti 2021, Qeveria e Kosovës ka nisur ndarjen e shtesave mujore për fëmijë dhe, aktualisht, përfitues të tyre janë mbi 400 mijë.

Prej korrikut të vitit të kaluar, vlera e kësaj shtese është 20 euro për fëmijët në familjet me dy fëmijë dhe 30 euro për ata në familjet me tre ose më shumë.

Të përjashtuar nga kjo skemë janë së paku 28 fëmijë pa përkujdesje prindërore, të moshës 0 deri në 16 vjeç, që jetojnë në SOS Fshatrat e Fëmijëve.

Në këtë organizatë të përkujdesjes sociale thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet, në përpjekje për të gjetur zgjidhje.

“Ekziston gatishmëri dhe mirëkuptim nga ana e Qeverisë që edhe këta fëmijë të përfshihen në skemat mbështetëse”, thotë Berat Kryeziu, nga Zyra për Informim e SOS Fshatrave të Fëmijëve, për Radion Evropa e Lirë.

SOS Fshati në Prishtinë.
SOS Fshati në Prishtinë.

Përveç tyre, shtesa nuk marrin as fëmijët e strehuar në familje jashtë farefisit, thonë në Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF.

Drejtoresha Donjeta Kelmendi thotë se ka kërkuar disa herë nga Qeveria e Kosovës krijimin e mundësive që edhe kjo kategori e pambrojtur të përfitojë nga mbështetja financiare.

“Kanë thënë disa herë se do ta rregullojnë, por nuk e kanë rregulluar”, thotë ajo.

Radio Evropa e Lirë pyeti Zyrën e Kryeministrit dhe ministritë përgjegjëse – atë të Drejtësisë dhe të Financave – për numrin e fëmijëve pa kujdes prindëror në Kosovë, arsyet e mospërfshirjes së tyre në skemën e shtesave dhe mundësinë e përfshirjes së tyre në të ardhmen, por prej asnjërit institucion nuk mori përgjigje qysh nga java e kaluar.

Më 2 korrik, Ministria e Financave doli me një njoftim publik, ku tha se ka miratuar udhëzuesin për zbatimin e shtesave për fëmijë dhe lehona.

Në udhëzuesin e përditësuar thuhet se, në rastet kur fëmija është në strehim rezidencial, atëherë aplikimi për shtesa bëhet nga punonjësi i autorizuar nga entiteti, i cili hap një llogari bankare për fëmijën, ku depozitohen mjetet e shtesave.

Të kontaktuar nga REL-i pas këtij njoftimi, zyrtarët e SOS Fshatrave thonë se nuk kanë asnjë shkresë zyrtare.

Pse nuk përfitojnë fëmijët pa përkujdesje prindërore?

Arsyeja kryesore përse fëmijët pa përkujdesje prindërore nuk marrin shtesa, duket se lidhet me mënyrën se si funksionon procesi i aplikimit.

Aplikimi bëhet përmes platformës digjitale të Qeverisë së Kosovës, e-Kosova, dhe duhet të kryhet nga nëna e fëmijës.

Nëna duhet të ofrojë disa të dhëna, si: numrin e saj personal dhe të fëmijës, emrin dhe mbiemrin, numrin e telefonit, vendbanimin, e-mailin dhe numrin e llogarisë së sajbankare.

Në rastet kur nëna ka vdekur ose nuk jeton me fëmijën, kërkesën për përfitim mund ta bëjë babai.

“Procesi aktual i aplikimit për shtesa parasheh që aplikimi të bëhet nga prindi – çka, në rastin e fëmijëve nën kujdesin e SOS Fshatrave, përbën një sfidë teknike. Ajo mbetet pengesë për përfitimin e shtesave”, thotë Kryeziu.

Ai shton se pritshmëritë janë që brenda një periudhe të shkurtër të arrihet një marrëveshje konkrete, e cila do t’i hapte rrugë përfshirjes së këtyre fëmijëve në skemë.

“Besojmë se, së shpejti, kjo çështje do të marrë një drejtim pozitiv”, thekson Kryeziu, pa ofruar më shumë detaje.

Cila mund të jetë zgjidhja?

Vebi Mujku, nga Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale, thotë se çdo fëmijë pa përkujdesje prindërore ka kujdestar ligjor, që mund ta përfaqësojë ligjërisht dhe ta bëjë aplikimin për shtesa në emër të tij.

Mujku – ish-drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë – sugjeron që paratë të transferohen në një llogari bankare të hapur në emër të fëmijës, ndërsa përdorimi i tyre të mundësohet kur ai të arrijë moshën madhore, për të mbështetur arsimin apo integrimin në jetën e pavarur.

“Zgjidhja është shumë e lehtë. Secili fëmijë ka një certifikatë të lindjes dhe mjetet mund të paguhen në mënyrë retroaktive që nga data e lindjes e deri më sot. Edhe pse shuma është simbolike, ajo i takon fëmijës dhe duhet të jetë në llogarinë e tij”, thotë Mujku për Radion Evropa e Lirë.

Gabim teknik apo diskriminim?

Për Mujkun, mospërfshirja e këtyre fëmijëve në skemë nuk është vetëm gabim teknik, por rrezikon të shndërrohet në diskriminim të hapur.

Ai thekson se fëmijët që jetojnë në SOS Fshatra apo në strehim familjar, marrin shërbime bazike, por mungesa e trajtimit të barabartë në skemën e shtesave, bie ndesh me parimet e të drejtave të fëmijëve.

“Unë shpresoj që kjo ka ndodhur pa qëllim, sepse nëse është e qëllimshme, atëherë dikush duhet të japë llogari”, thotë Mujku.

Ministria e Drejtësisë nuk dha përgjigje lidhur me numrin e përgjithshëm të fëmijëve pa përkujdesje prindërore.
Ministria e Drejtësisë nuk dha përgjigje lidhur me numrin e përgjithshëm të fëmijëve pa përkujdesje prindërore.

Të njëjtin qëndrim ndan edhe Donjeta Kelmendi nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, e cila thotë se fëmijët pa përkujdesje prindërore janë realisht të diskriminuar në këtë proces.

Radio Evropa e Lirë pyeti Institucionin e Avokatit të Popullit nëse ky përjashtim përbën shkelje të të drejtave të njeriut.

Në përgjigjen e marrë thuhet se ky institucion do ta hetojë këtë çështje dhe do t’u drejtohet institucioneve përkatëse për më shumë informata.

“Vetëm pas përfundimit të hetimeve do të mund të dalim me konstatime specifike, mirëpo, aktualisht, këto të dhëna paraprake tregojnë se mospagesa e shtesave rrezikon të cenojë të drejtën e këtyre fëmijëve për trajtim të barabartë, të garantuar nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, përveç tjerash”, thuhet në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Ministria e Drejtësisë nuk dha përgjigje lidhur me numrin e përgjithshëm të fëmijëve pa përkujdesje prindërore, përkatësisht të atyre jashtë skemës së shtesave.

Sipas të dhënave të vitit 2023, të siguruara nga kjo ministri, në Kosovë kanë qenë gjithsej 529 persona nën moshën 18-vjeçare pa kujdes prindëror dhe të braktisur. /REL